Murati: Kosovës po i përgatitet skenari më i keq i mundshëm
Në konferencën për medie të mbajtur sot, Kryetari i LB-së, Valon Murati, ndër të tjera tha se zhurmat e fundit për korrigjim kufijsh na bëjnë të frikësohemi se Kosovës po i përgatitet skenari më i keq i mundshëm, ai i instalimit të asociacionit të komunave serbe, i cili në rrethanat e një dialogu ku po flitet për marrëveshje përfundimtare, mund të përfundojë me kompetenca ekzekutive dhe me autonomi politiko-territoriale.
Duke rikujtuar se bisedimet në mes të Kosovës dhe Serbisë pritet të futen në një fazë kritike nga muaji shtator i këtij viti, ai tha se fatkeqësisht, opinioni publik dhe partitë politike janë më të përçara se kurdoherë rreth kësaj teme dhe se Kosovës i mungon platforma politike për këto bisedime e, rrjedhimisht, edhe konsensusi politik për to.
Sa i përket qëndrimit të Lëvizjes për Bashkim rreth çështjes shqiptaro-serbe, z.Murati tha: “Lëvizja për Bashkim që prej vitit 2008 ngulmon se boshti rreth të cilit duhet të ndërtohet platforma për bisedime me Serbinë është parimi i reciprocitetit. Kjo nënkupton reciprocitet në të drejta në mes të shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, me ato të serbëve në Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Zbatimi me konsekuencë i parimit të reciprocitetit, nëse rrethanat ndërkombëtare e lejojnë, mund të shkojë edhe deri në ridefinim (ripërcaktim) të kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë, gjithnjë duke u bazuar në vullnetin e popujve: aty ku shqiptarët në tri komunat e Kosovës Lindore janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale me Kosovën të kenë të drejtën të bashkohen me Kosovën dhe aty ku serbët në tri komunat veriore janë shumicë dhe kanë vazhdimësi territoriale me Serbinë të kenë të drejtën të bashkohen me Serbinë”. Ndërsa, sipas platformës së LB-së as në konceptin e reciprocitetit, e as të ridefinimit (ripërcaktimit) të kufijve, nuk duhet të përfshihet pjesa veriore e qytetit të Mitrovicës. “Në këtë pjesë 12.000 shqiptarë janë dëbuar me dhunë në vitin 2000 dhe institucionet tona duhet të punojnë që ata të kthehen atje” – përfundoi Murati.