Murati i kundërpërgjigjet Tahirit për kategoritë e luftës

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i është kundërpërgjigjur deklaratave të deputetit të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili akuzoi Vetëvendosjen se kanë vendosur për kryeparlamentar tre kandidatë që mbajnë ‘rekord të zi’ me UÇK-në.

Murati, i cili në përpjekjen e 56-të të seancës konstituive nuk mori votat e mjaftueshme për kryetar të Kuvendit, është kritikuar nga Tahiri për vendimin, sipas tij, për të përjashtuar nga paga minimale disa kategori të shoqërisë, përfshirë veteranët e UÇK-së, familjet e dëshmorëve dhe invalidët e luftës.

Megjithatë, Murati përmes një postimi në Facebook, ka thënë se i përgjigjet Tahirit me fakte.

“Herën e fundit kur PDK ka qeverisur me vendin, me koalicionin PAN gjatë 2017–2020, pensionet për veteranët, familjet e dëshmorëve, dhe invalidët e luftës janë rritur 0 euro. Herën e parafundit kur PDK ka qeverisur me vendin, në koalicion me LDK gjatë 2014-2017, e kishte fshirë nenin 18 të ligjit që e lidhte pensionin e veteranit me pagën minimale. Kjo kërkesë kishte ardhur nga FMN-ja, pasi listat e veteranëve kishin filluar të mbusheshin edhe me ata që nuk i plotësonin kriteret, dhe kjo rrezikonte eskalim të kostos deri aty sa mund ta rrezikonte stabilitetin financiar. Ndërkaq pensionet për familjet e dëshmorëve dhe invalidëve të luftës asnjëherë s’kanë qenë të lidhura me pagën minimale, por kjo e dëshmon se sa pak din Abelard Tahiri për këtë temë”, ka theksuar Murati.

Sipas tij, gjatë kohës të tij si ministër, pensionet për kategoritë e luftës janë rritur për së paku 20%.

“Gjithashtu, gjatë kohës time si ministër është 4-fishuar buxheti i FSK-së, duke arritur për herë të parë të përmbushim kriterin e NATO-s prej 2% të BPV-së. Këto janë faktet”, ka shtuar Murati.

The post Murati i kundërpërgjigjet Tahirit për kategoritë e luftës appeared first on Kosovapost.net.