Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka deklaruar se buxheti i Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) nuk mund të alokohet pa vendim të Komisionit parlamentar për Buxhet, Punë dhe Transfere, i cili aktualisht nuk funksionon për shkak të moskonstituimit të Kuvendit.
Sipas ministrit Murati, Ligji për Buxhetin përcakton se Thesari i Shtetit nuk merr vendime për ndarjen e buxhetit, por vetëm e ekzekuton atë pas miratimit paraprak nga Komisioni për Buxhet i Kuvendit të Kosovës.
“Buxheti i RTK-së alokohet sipas vendimit të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere. Kështu e thotë ligji i buxhetit. Thesari vetëm bën ekzekutimin, sipas vendimit të Komisionit parlamentar. Komisioni për Buxhet që do duhej me i nda mjetet, nuk ekziston aktualisht sepse partitë opozitare po e mbajnë të bllokuar konstituimin e Kuvendit duke mos marrë pjesë në votim tash e disa muaj”, thotë Murati.
Sipas tij, opozita po e mban Kuvendin të bllokuar duke mos votuar, tani po mundohen që mungesën e alokimit të buxhetit të RTK-së t’ia faturojnë Qeverisë.
“Po të mos e kishin bllokuar opozita konstituimin e Kuvendit, çështja e buxhetit të RTK-së as që do të ishte temë, sepse buxheti alokohet me automatizëm, sapo të ketë vendim nga Komisioni për Buxhet. Bllokuesit e Kuvendit, tani po na tregojnë qysh ata e kanë shkelur ligjin duke miratuar në Qeveri alokimin e buxhetit për RTK për 3 muaj në vitin 2021, dhe po kërkojnë që edhe Qeveria jonë të bëjë të njëjtën shkelje”, thotë Murati.
Siç thotë ai, për të evituar një situatë të tillë Komisioni për Buxhet nën kryesimin e deputetit Armend Muja “kishte miratuar qysh në dhjetor të vitit të kaluar pagesën e këstit, jo për 3 muaj siç bëhet zakonisht, por për 6 muaj, janar-qershor 2025”.
“Kjo ishte bërë duke llogaritur në ndonjë vonesë eventuale deri në formimin e institucioneve pas muajit mars. Por askush se ka menduar që PDK, LDK, dhe AAK do ta mbajnë të bllokuar kuvendin për kaq gjatë, vetëm e vetëm se janë kundër që Albulena Haxhiu të zgjidhet kryetare e Kuvendit. Kapaciteti destruktiv i tyre tejkalon çdo imagjinatë”, shkruan Murati.