“Mungon një penallti dhe një karton i kuq”; Flick denoncon episodin “e inkriminuar” ndaj Atletico Madridit

“Flitej për karton të kuq për mbrojtësin e Atletico Madridit, ishte një penallti e qartë kur portieri e vuri topin në lojë dhe ai (Pubill) e preku me dorë. Ishte tashmë i ndëshkuar me karton të verdhë, mund të kishte një të dytë. Duhet ta pranojmë, shkoi kështu, por nuk është një ndjesi e bukur”. Këto janë fjalët e Hansi Flick, i zemëruar pas ndeshjes Barcelona-Atletico Madrid 0-2.

Por kujt i referohet trajneri gjerman? Në minutën e 54-t, mbrojtësi Pubill, tashmë i ndëshkuar me karton të verdhë, ndalon me dorë pasimin nga rivënia fundore e portierit Musso, duke menduar ta sistemojë topin për ta rivënë më pas në lojë. Lojtarët e Barcelonës protestojnë, por arbitri Kovacs lejon vazhdimin dhe nuk ndërhyn VAR-i.

Në përgjithësi, më shumë zhgënjim për episodet sesa për paraqitjen e të tijve nga Flick: “Nuk ishte mbrëmja jonë, nuk patëm fat. Kartoni i kuq dhe menjëherë pas tij pësuam golin e 1-0…, megjithatë jam krenar për skuadrën time”. Besimi për ndeshjen e kthimit mbetet: “E dimë që është e vështirë, duhet të qëndrojmë të qetë dhe pozitivë. Kemi cilësi për ta përmbysur”.

 

The post “Mungon një penallti dhe një karton i kuq”; Flick denoncon episodin “e inkriminuar” ndaj Atletico Madridit appeared first on Telesport.