Barcelona ka fituar 6-0 ndaj Valencia-s në “Estadi Johan Cruyff”, sfidë e vlefshme për javën e katërt të La Ligës. Për katalanasit mungoi Lamine Yamal, i dëmtuar me Spanjën. Në 3 ndeshjet në të cilat mungoi Lamine Yamal sezonin e kaluar, Barcelona humbi dy prej tyre dhe barazoi një.
Por sot katalanasit thyen këtë rekord negativ dhe fituan pastër edhe pa qenë Lamine Yamal. Rezulati u zhbllokua në minutën e 29-të. Pas topit të gjatë të Pau Cubarsi dhe prekjes nga Ferran Torres, Fermin Lopez dërgon topin në rrjetë me një goditje të bukur. Pjesa e parë mbyllet 1-0 për Barcelonën.
Në fillim të pjesës së dytë, Raphinha futet në vend të Roony Bardghji, i cili debutoi sot në La Liga me Barcelonën. Raphinha nuk vonon shumë dhe gjen direkt golin, pas asistit të Rashford. Anglez kroson në zonë, braziliani e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë, në minutën e 53-të. Dy minuta më pas, Fermin Lopez “shkundi” rrjetën me një gol spektakolar, me një super goditje të fuqishme nga distanca.
Në minutën e 65-të, Raphinha shënon golin e dytë personal me një goditje fantastike brenda zonës dhe të katërtin për Barcelonën. Në minutën e 75-të, ishte radha e Robert Lewandowski-t për të shënuar, pak minuta pasi kishte hyrë si zëvendësues i Ferran Torres. Polaku shënoi pas asistit të Dani Olmo, edhe ky si zëvendësues i Rashford.
Lewandowski shënoi edhe golin e dytë personal dhe të gjashtin për Barcelonën në minutën e 85-të, pas asistit të Marc Bernal, i sapo futur në fushë dhe i rikthyer nga një dëmtim i gjatë. Barcelona fiton 6-0 dhe ngjitet në vendin e dytë me 10 pikë, dy më pak se Real Madrid i vendit të parë.
The post Mungon Lamine Yamal? Nuk ka problem. Barcelona luan “tenis” ndaj Valencia-s (video) appeared first on Telesport.