Mbajtja e seancës ndaj Hashim Thaçit më 28 Nëntor ka nxitur një valë të re kritikash ndaj Gjykatës Speciale.
Përveç Hashim Thaçit ky veprim i Speciales është kritikuar ashpër edhe nga shumë politikanë dhe njohës të rrethanave politike.
Sipas tyre, nxjerrja në gjykatë e Hashim Thaçit në këtë ditë është një padrejtësi.
Ish-deputeti i Enver Hoxhaj ka kritikuar Gjykatën Speciale, e cila sot ka caktuar seancë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.
Ai ka vlerësuar se edhe këtë 28 Nëntor shqiptarët po përballen me të njëjtën padrejtësi ndaj krerëve të UÇK-së.
Në profilin e tij në “Facebook”, Hoxhaj ka shkruar se mbajtja e seancës në këtë ditë tregon mungesë respekti për historinë dhe sakrificën e shqiptarëve.
“Edhe këtë 28 Nëntor po përballemi me të njëjtën padrejtësi ndaj krerëve të UÇK-së. Mbajtja e seancës sot, në ditën më të shenjtë të shqiptarëve, tregon mungesë respekti për historinë dhe sakrificën tonë. Lufta e UÇK-së ka qenë e drejtë. Hashimi, Kadriu, Rexhepi e Jakupi, janë udhëheqës të lirisë. Kosova e di të vërtetën e tyre. Derisa ata të kthehen të lirë, festa mbetet e paplotë”, ka shkruar ai.
Edhe analisti Albert Krasniqi ka vlerësuar se simbolikat me të cilat po komunikon Gjykata Speciale ndaj ish-Presidentit Hashim Thaçi të krijon përshtypjen e një qasjeje që synon më shumë ta godasë emocionalisht.
“Në ditën e lindjes së tij, ngritet aktakuza. Në ditën e lindjes së Flamurit Kombëtar, caktohet seancë gjyqësore. Këto nuk janë rastësi. Simbolikat me të cilat po komunikon Gjykata Speciale ndaj Presidentit Thaçi krijojnë përshtypjen e një qasjeje që synon më shumë ta godasë emocionalisht dhe ta poshtërojë simbolikisht, sesa të administrojë drejtësi në mënyrë të paanshme”, ka shkruar Krasniqi në profilin e tij në “Facebook”.
Çka tha Thaçi?
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka kritikuar Gjykatën Speciale, e cila sot ka caktuar seancë në çështjen e dytë ndaj tij.
Ai ka bërë me dije se një seancë e tillë nuk është dashur të caktohen në datën më të rëndësishme për shqiptarët.
Në adresimin e tij, Thaçi ka kërkuar nga gjyqtarët që të mos lejojnë të ndodhin gjëra që nuk do t’lejonin në shtetet e tyre.
“E mirëpres mbajtjen e kësaj seance dhe për këtë arsye edhe jam sot në seancë sepse jam për respektimin e shtetit ligjor. Por, është me interes që në këtë gjykatë që të mos ndodhin gjëra që s’lejohet të ndodhin në shtetet te tuaja përkatëse. Si çdo popull edhe ne shqiptarët, kemi historinë, vlerat kombëtare dhe shtetërore”, ka thënë Thaçi.
Ai ka bërë me dije se mbajtja e kësaj seancë në Ditën e Flamurit ka qenë një befasi jo e mirë për te.
“Mendoj se caktimi i kësaj seance pikërisht sot më 28 nëntor do të duhej evituar. Mbajtja e kësaj seance pikërisht sot për mua dhe çdo shqiptar është befasi jo e mirë. Ka festë kombëtare, shtetërore dhe familjare sepse është festa e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare si çdo popull i lirë në botë, feston dhe kujton. Edhe ai i i Kosovës edhe kujton edhe feston. Nuk më mbetet tjetër që t’i uroj shqiptarët që të festojnë të bashkuar, krenarë dhe me dinjitet. Besoj që nëntorët e tjerë do t’i festojmë bashkërisht”, ka thënë Thaçi.
Ndaj kritikave të Thaçit ka reaguar gjyqtari i Gjykatës Speciale, Christoph Gosnell, i cili e ka drejtuar seancën e sotme.
Ai e ka falënderuar ish-presidentin e Kosovës për fjalët e thëna.
Sipas tij, seanca e sotme për konferencën përgatitore është caktuar në koordinim me të gjitha palët.
“Faleminderit z. Thaçi për këto fjalë, me duhet të iu them se këtë datë e caktuar pasi u konsultuam me të gjitha palët dhe asnjë kundërshtim nuk pari për këtë ditë, për konferencën e përgatitjes”, ka thënë gjyqtari.











