Seanca e jashtëzakonshme e thirrur nga kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, për të diskutuar transferimin e buxhetit të mbetur të vitit 2024 në vitin 2025, u shty pasi aty mungoi edhe vet Rama. Ndonëse LDK ishte e gatshme për diskutim, opozita refuzoi të votojë pa praninë e tij.
Në seancën e jashtëzakonshme të cilën e thirri vet, me synim kalimin e 28 milionë eurove të mbetura nga viti 2024 në vitin 2025, nuk mori pjesë.
Karrigen e zbrazët të Kryetarit Përparim Rama, e zuri nënkryetari Florim Dushi.
Pavarësisht se LDK ishte e gatshme që të ofrojë informacione rreth pikës së vetme të ditës për bartjen e mjeteve, opozita u tregua e vendosur se nuk do të votonin pa prezencën e Ramës.
“Kemi marrë ftesë për seancën e rregullt me dy qershor. Nëse kryetari e ka të pamundur për sot, është mirë ta ruajmë atëherë, për shkak se nuk po e shoh të arsyeshme që për 28 milionë euro, të cilat është planifikuar të barten, të mungojë kryetari. Kemi shumë pyetje e që mundet të përgjigjet vetëm kryetari”, ka deklaruar Gëzim Sveçla, drejtues i asamblistëve të LVV.
Duke mos treguar gatishmëri për votim, një paralajmërim për pasojat e komunës e dha Drejtoresha e Financave.
“Ka projekte që nuk janë pjesë e 2025 po detyrimet duhet të paguhen, të gjitha janë obligime. S’ka diçka tjetër. Nëse ka diçka të paqartë, ne jemi këtu për juve. Ç’ka ndodhë nëse nuk votohet, të gjithë operatorët do shkojnë në përmbarime private”, ka deklaruar Valbona Makolli, drejtoreshë e financave.
Gatishmëri për të votuar patën vetëm AKR dhe AAK.
Vetëvendosje pajtua ta presë kryetarin deri në fund të seancës por pas bindjes se Rama s’do t’i bashkohet seancës, vendosi ta bojkotojë atë.
Rikthim në seancë kërkoi Partia Demokratike, por me një kusht.
“Pyetja është pse po ik prej punës së tij kryetari, Përparim Rama. Mund ta kuptoj deri diku pse ju ka vendos nënkryetar por asnjëri nga ne nuk e ka peshën e barasvlefshme sa kryetari. Me qëllimin e mirë, kërkoj kryesues që të marrim një pauzë dhe të kthehemi me arsyen se pse mungon Kryetari, kemi nevojë për shkak të transparencës”, ka deklaruar Leotrim Retkoceri, drejtues i asamblistëve të PDK-së.
Rikthimin në seancë nuk e përkrahi Lidhja Demokratike me arsyetimin se personat kompetent për financat e komunës, ishin prezent.
PDK braktisi sallën e në mungesë kuorumi, seanca u mbyll për t’u mbledhur javën e ardhshme përsëri.