Mungesa e investimeve kapitale nga viti në vit po e përcjell vazhdimisht komunën e Prishtinës, shfrytëzimi i vetëm 9 milionë euro nga 49 milionë gjithsej, në këta nëntë muajt e fundit të vitit 2019, po konsiderohet dështim dhe keqmenaxhim nga ana e kryetarit Shpend Ahmeti.
Opozita në kryeqytet dhe ata që e monitorojnë punën e ekzekutivit thonë se gjithë këto mjete të tepruara do të duhej të shfrytëzoheshin në shumë dikastere tjera. Gjitha këto akuza, i pari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti i arsyeton me vonesat në prokurim dhe zvarritjet në projektet të vjetra.
Asamblisti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Gashi për KosovaPress, qeverisjen e tanishme të kryeqytetit e cilëson dobët dhe padijshme.Sipas tij, nuk është sukses të shpenzohen të hollat vetëm në rrugët e kategorisë së tretë dhe të katërt.
Më kritikues ndaj qeverisjes komunale është asamblisti Lëvizjes Vetëvendosje, Eman Rrahmani, i cili për këtë që e konsideron dështim, thotë se Shpend Ahmeti duhet dhënë dorëheqje.
Sipas tij, nuk ka asnjë kuptim që një kryetar të qëndrojë në pozitën e tij, kur nuk dinë t’i shfrytëzojë 40 milionë euro që dedikohen për investime kapitale. Ndërkaq nga Iniciativa për Progres, “INPO”, që e monitoron komunën e Prishtinës, Qëndrim Arifi thotë se për mos investime kapitale, fajtor kryesor është keq menaxhimi dhe keq planifikimi i Shpend Ahmetit.
E i pari i kryeqytetit, Shpend Ahmeti gjithë këto akuza dhe kritika që po adresohen karshi tij, thotë se janë tendencioze dhe të përsëritura çdo vit.
Teksa për teprimin e 40 milionë eurove në nëntë muajt e fundit për investime kapitale, i pari i komunës e arsyeton me procedurat e tej zgjatura të prokurimit.
Ai thekson se këtë vit plani i prokurimit ka përfunduar 100 përqind dhe se paratë nuk do të humbin, por thjesht do të barten për vitin tjetër për të njëjtin projekt.
Komuna e Prishtinës edhe në vitet paraprake është akuzuar për mos shpenzim të mjeteve për investimeve kapitale. Ndërsa disa projekte kanë mbetur në gjysmë si ndërtimi i kolektorit në lagjen “Kalabria” për shkaqe të problemeve pronësore.