Thomas Müller ishte shumë pranë debutimit perfekt me Vancouver Whitecaps. Ish-lideri i Bayern Munich dhe kombëtares gjermane zhvilloi ndeshjen e tij të parë në MLS, duke shënuar edhe një gol. Megjithatë, goli iu anulua për pozicion jashtë loje, duke i mohuar gëzimin e madh kanadezëve, që në fund barazuan 1-1 kundër Houston Dynamo.
Müller u ambientua shpejt, por do t’i duhet të mësojë po kaq shpejt rregulloren e futbollit përtej oqeanit. Pas ndeshjes, lojtari i lindur më 1989 zbuloi me shaka se nuk njihte një rregull të veçantë të MLS, që e kishte habitur.
Bëhet fjalë për rregullin që lidhet me dëmtimet. Müller shpjegoi: “Gjëja me të cilën më duhej pak kohë të mësohesha ishte një rregull. Nuk e di nëse e vutë re. Jayden Nelson u ndal pak për një dëmtim dhe pastaj duhej të qëndronte dy minuta jashtë. Ishte pak e çuditshme, por tani e di edhe unë këtë rregull të MLS”. Mes seriozitetit dhe shakasë, gjermani shtoi: “Kjo do të thotë që, edhe nëse lëndohem, nuk do të kërkoj trajtim, kështu nuk më duhet të rri jashtë”.
Çfarë parashikon rregullorja e MLS për dëmtimet
Nëse një lojtar qëndron i shtrirë për më shumë se 15 sekonda me dyshim dëmtimi, arbitri ndalon lojën dhe thërret stafin mjekësor në fushë. Futbollisti shoqërohet jashtë, por nuk mund të rikthehet menjëherë. Ai duhet të qëndrojë jashtë për të paktën dy minuta, që llogariten nga momenti kur loja rifillon.
Pse ky rregull? Për të reduktuar simulimet dhe tentativat e humbjes së kohës, duke kushtëzuar ata që përpiqen të përfitojnë në këtë mënyrë. Sigurisht që ka përjashtime nga ky rregull, sidomos për dëmtimet në kokë ose rastet kur kundërshtarët ndëshkohen me karton.
Müller nuk është i vetmi që mbeti i befasuar, pasi edhe Messi një herë u surprizua nga ky rregull. Leo u detyrua të qëndronte jashtë për 2 minuta të plota, duke humbur kështu mundësinë për të goditur një top të ndalur.
The post Müller habitet qysh në debutim nga MLS, nuk e njihte rregullin “2-minutësh”. Si ai e kishte pësuar edhe… Messi appeared first on Telesport.