Ish-asamblisti i Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Besnik Mujeci, i cili u arrestua para dy vitesh në Shqipëri pasi u kap me 11 mijë doza ekstazi me vlerë rreth 400 mijë euro, është liruar me kusht nga Gjykata shqiptare.
Sipas raportimit të “Koha.net”, Gjykata ka vendosur që Mujeci të lirohet në një periudhë prove prej katër vjetësh.
“Lënien në fuqi të vendimit Nr.3114, datë 26.12.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me këtë ndryshim: Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien në provë të të pandehurit Mithat Ramadani, për një periudhë prej 4 (katër) vjet. – Bazuar në nenin 59 të Kodit Penal, pezullimin e ekzekutimit të dënimit me burgim dhe vënien në provë të të pandehurit Besnik Mujeci, për një periudhë prej 4 (katër) vjet. – Urdhërohen të pandehurit të mbajnë kontakte me shërbimin e provës. – Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i të pandehurve Mithat Ramadani dhe Besnik Mujeci, nëse nuk mbahen për shkaqe të tjera të ligjshme”, thuhet në vendim.