Muharremi për situatën me energjinë: Neve na duhen 500-1,000 MW kapacitete të reja menjëherë

Analisti Shenoll Muharremi ka thënë se duhet të nisin sa më parë diskutimet dhe të gjendet një zgjidhje për kapacitete të reja të energjisë elektrike.

Në një shkrim në Facebook, ai ka thënë se vendi i duhet menjëherë 500-1000Më kapacitete të reja.

“Edhe sikur me fillu sot punën dhe të merrnim vendimin, na duhen 3-4 vjet derisa realizohen këto projekte, derisa ndërtohen gjeneratorët. Prandaj nuk duhet me vazhdu me humbë më shumë kohë. Nuk mundemi me vazhdu me projekte prej vetëm 100 MW. Duhet projekte të mëdha. Menjëherë.

Energjia, deficiti tregtar, inflacioni dhe tregu i punës janë temat kryesore për ekonominë tonë. Duke i adresuar dhe zgjidhë këto, ne i rrisim kapacitetet, e forcojmë sektorin privat dhe gjithë ekonominë. Krejt kjo lidhet” – ka shkruar ai.

Tutje, ai ka thënë se për këtë arsye ka shkruar edhe për një ndryshim të paradigmës së qeverisjes në Kosovë.

“Për këtë arsye kam argumentuar për një ndryshim të paradigmës së qeverisjes në Kosovë. Duhet të transformohemi nga asfaltet dhe projektet kapitale te programet multi-ekonomike që adresojnë këto sfida serioze dhe e zhbllokojnë potencialin e vendit. Me një program ekonomik €10 MILIARDË në mandatin e ardhshëm, Kosova ka mundësi me bërë shumë të mira që ndoshta s’janë bërë kurrë më parë.

Kosova dhe partitë i kanë njerëzit dhe kapacitetet. Vetëm duhet guximi dhe vizioni i duhur. Edhe kjo punë kryhet. Nuk është as e pamundur, as e vështirë. Normal që është komplekse, por është plotësisht e mundshme. Kjo mund ta rrisë ekonominë tonë, madje ta dyfishojë në periudhën e ardhshme”.