Muharremi: Pa korrigjim dhe rënie të LVV-së nuk ka normalitet dhe stabilitet në Kosovë

Analisti politik Shenoll Muharremi ka bërë një reagim në të cilin argumenton se skena politike në Kosovë gjendet në një fazë të thellë tranzicioni dhe se, sipas tij, korrigjimi elektoral i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) është i domosdoshëm për të rikthyer funksionalitetin institucional dhe stabilitetin politik.

Muharremi vlerëson se për të siguruar funksionimin normal të institucioneve, LVV duhet të bjerë në rreth 300 mijë vota, duke theksuar se rritja e lartë e saj në zgjedhjet e shkuara ka prodhuar “arrogancë politike” dhe ka vështirësuar bashkëpunimin ndërpartiak

Postimi i plotë:

Pa korrigjim dhe rënie të LVV-së nuk ka normalitet dhe stabilitet në Kosovë

Për me pas stabilitet dhe institucionet funksionale, LVV duhet me ra në 300k vota ose më pak me 28 dhjetor. Sistemi nuk po funksionon më dhe prandaj jemi në kriza, bllokada dhe jemi në tranzicion. Sa më shumë fiton LVV, aq më e gjatë është bllokada dhe kriza. Pse? Për shkak se ajo më kurrë nuk mundet me fitu e formu institucionet vetë pa bashkëpunim dhe kompromise me partitë tjera. Sa më shumë fiton, bëhet më arrogante dhe jo-racionale për bashkëpunim dhe anasjelltas.

Tash na duhen jo vetëm 61 vota të deputetëve, por 81 për shkak të pozitës së Presidentit të Kosovës. E në këtë frymë, LVV kurrë nuk mundet me i fitu 70%, po as 50%. As 40% mesiguri nuk i fiton më, se trendi i saj i rënies dhe korrigjimit nga kulmi i lartë ishte 0.87 pikë përqindje për muaj herën e fundit që kishim matje. Matjet e fundit kanë treguar një përkrahje në rajonin 37%-35% të LVV-së.

Zgjedhjet e 28 dhjetorit duhet me përshpejtu tranzicionin dhe sa më shpejt aq më mirë, për shkak se nuk ka rrugë tjetër. Sa më modeste të jetë LVV më % të votave, aq më shumë do të kemi frymë të kompromisit dhe bashkëpunimit. Vlera e lartë e votave e bënë Kurtin kokëfortë dhe jobashkëpunues, e vlera më e ulët e ulë në tavolinë dhe e detyron me bashkëpunu me tjerët për me kalu kriza.

Mos harroni që për me u kriju institucionet dhe me përfundu kriza e thellë politike dhe ekonomike duhet me pas bashkëpunim mes së paku 2 nga tri partitë kryesore, por preferohet një koalicion edhe më i gjërë. E kompromisi i LVV duhet me qenë pozita e Kryeministrit në shkëmbim për pozitën e presidentit për Kurtin. Sado që partitë ju thonë në fushatë e zgjedhje “ata dhe ne”, pas zgjedhjeve kanë me u pajtu dhe kanë me qenë bashkë.

Rritja asimetrike aksidentale që ka pas LVV në 50.2% dhe 42.3% vetëm e ka bë më të keqe këtë parti. Pushteti absolut në demokraci pluraliste të keqëson. Edhe Albin Kurti, nga një djalosh që dëgjon U2 dhe është simpatik për shumicën e popullatës, është transformuar në një semi autokrat me dëshirë të paepur për pushtet absolut e kontroll në gjithçka. Një person që përdorë dhe abuzon me pushtetin me fitu zgjedhje lokale e feston me talave e me goma të rrotave. Pushteti i madh e ka tjetërsu dhe e ka nxjerrë më të keqen e tij dhe ai duhet me ju kthy normalitetit gjithashtu.

Tash është koha me u balancu gjërat dhe me sjellë stabilitet dhe shpresë në Kosovë. Rruga më e mirë dhe pragmatike është duke vazhduar korrigjimin e LVV-së dhe përshpejtimin e rënies së saj fillimisht në nivel 300k vota dhe pastaj edhe tek baza e saj në rajonin 20%-25%.

Kjo nuk është asgjë kundër LVV, por sistemi nuk po funksionon më. Jemi në kriza dhe bllokada e paraliza të thella me implikime në sigurinë kombëtare. Fundja, sa për ne, nëse sistemi funksionon mirë, partitë le të fitojnë sa të munden, por ky nuk është rasti aktual në Kosovë.

Pushteti i madh ka sjellë vetëm më shumë izolim, polarizim, përçarje dhe varfëri e migrim. Tani është koha me vazhdu ekuilibrin, ndërsa korrigjimi i LVV-së vetëm ka me sjellë dobi dhe të mira e stabilitet e funksionim më të mirë për Kosovën.