Analisti Shenoll Muharremi ka kritikuar ashpër kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili vetëm pak ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme shfrytëzoi momentin për t’ua rikujtuar qytetarëve vendimin për rritjen e pagës minimale.
Sipas Muharremit, qeveria në detyrë së pari është dashur të zhvillojë dialog me bizneset për çështjet që prekin drejtpërdrejt punëtorët dhe operacionet e tyre.
Në një postim në Facebook, ai thekson se qeveria në detyrë po vepron në mënyrë të njëanshme, vetëm për pak vota më shumë, duke rrezikuar ekonominë e vendit.
“Më pas le të digjet ekonomia, e bizneset le të mbyllen”, ka shkruar ai me ironi.
“Ja nisën këta me i korruptu qytetarët për vota a? Po shitet e ardhmja e Kosovës, e po rrezikohen bizneset dhe ekonomia, për disa vota më shumë. Mirë është që rritet paga minimale se fuqia blerëse e qytetarit ka rënë për toke vitet e fundit. Dmth çmimet janë rritur vitet e fundit dramatikisht nga keqmenaxhimi i ekonomisë dhe energjisë, por çfarë efekti ka rritja e pagës minimale në 500 euro për sektorin privat e bizneset, a ka shiqu najkush? A nuk duhet maspari me bisedu dhe me dialogu me bizneset për punët që i prekin ata dhe operacionet biznesore kaq direkt?”, shkroi ai.
“Ose mesiguri vetëm keni vendosë paushall, sa për me marrë ndonjë votë më shumë, e pastaj le të digjet ekonomia e bizneset le të mshelen. Njësoj si kanë vepru edhe me energji. Nuk kanë kriju kapacitet, e kanë rritë importin dhe çminin në qiell, e pastaj i kanë përzanë bizneset nga rrjeti dhe energjia e lirë që prodhohet në Kosovë. Cmimet kanë shku në qiell, qytetari po e paguan barrën me cmime të larta në market dhe për shërbime”.
Ndër të tjera, Muharremi thotë se kjo masë do t’i rrisë çmimet e produkteve dhe shërbimeve edhe më shumë.
“Se kush e paguan në fund këtë? Mos po e paguajnë ministrat prej xhepit apo kursimet e tyre? Jo. Bizneseve ka me ju rritë kosto e operacioneve, ata kanë me rritë barrën për qytetar. E pastaj çka ndodhë? Ekonomi, bizneset kosovare bëhen edhe më pak konkurrente dhe rritet importi e deficiti tregtar. E çka ndodhë pastaj? Rriten edhe më shumë çmimet.. Një cikël vicioz ku fuqia blerëse shkatërrohet sistematikisht e me to edhe bizneset dhe ekonomia vendore”, thekson analisti, njofton Klankosova.tv.
Në fund, analisti thekson se kjo që po bëhet në periudhën e fundit është politikë ekonomike për ta korruptuar votuesin pa asnjë vlerësim profesional dhe pa e ditur fare ndikimin në treg, ekonomi dhe te bizneset, transmeton Klankosova.tv.
“Kjo po ndodhë në një kohë kur bizneset janë nën presion nga kostoja e lartë e energjisë dhe nga importet e shumta, ky vendim elektoral vetëm sa ka me i godatë edhe më shumë bizneset tona, edhe ashtu në kushte shumë të vështira. Përfiton pra politika e partia në pushtet, por rrezikohet biznesi, rrezikohet ekonomia, rritet importi dhe, natyrisht, shtohet edhe migrimi i rinisë jashtë vendit”, tha ai











