Muhamet Lika e kishte arrestuar për përhapje të urrejtjes fetare njërin nga të dyshuarit për vrasjen e tij

Gazeta “Paparaci” duke u thirrur në burime të veta përbrenda Prokurorisë, thotë se rreshteri i vrarë në Kaçanik, kisthe arrestuar për “përhapje të urrejtjes fetare” njërin nga të dyshuarit për vrasjen e tij.

“Dy ngjarje të njëpasnjëshme në fundin e vitit 2023 dyshohet se ndërlidhen me motivin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika në Kaçanik. Ngjarjet lidhen me veprimtari fetare me prirje ekstremiste. Kishin ndodhur në Kaçanik dhe Han të Elezit”, shkroi Paparaci.

“Afishe që përhapin propagandë kundër festimit të Vitit të Ri ishin vendosur në hapësirat publike të Kaçanikut në javën e fundit të dhjetorit, 2023. Kishte pasuar djegia e bredhit të Vitit të Ri në qendër të Hanit të Elezit, disa ditë më vonë. Incidenti kishte ndodhur mëngjesin e 28 dhjetorit. Dy persona ishin arrestuar për përhapje të urrejtjes, përçarjes dhe modurimit mes grupeve të ndryshme”.

Siç raporton kjo media, rreshteri Muhamet Lika kishte qenë në kryerje të detyrës së tij zyrtare, dhe kishte zbatuar një urdhëresë të gjykatës për arrestimin e Haki Belës për rastin e pamfleteve me propagandë ekstremiste fetare.