Muçiqi për ish-krerët e UÇK-së: Janë oksigjeni i lirisë së Kosovës, duhet të dalin të lirë

Më 14 shtator, shqiptarët anë e kënd botës do të mblidhen në Hagë për të protestuar në përkrahje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Nexhmi Muçiqi, njëri nga kontribuuesit e kësaj proteste, në emisionin “Ora Shtatë”, tha se 14 shtatori do të jetë më i rëndësishëm, se dy protestat që u mbajtën në Kosovë.

“Efekti është i jashtëzakonshëm nëse ne bëhemi një masivitet në Hagë. Pra efekti ndërkombëtar. Ne shqiptarët duhet të punojmë që të trokasim në dyer ndërkombëtare, jo në dyert e shoqi-shoqit”, thotë ai, transmeton Klankosova.tv.

Sipas tij, shqiptarët e Kosovës po sillen nga vendi në vend, dhe shton se të njëjtit nuk do dinë të dalin nga katrahura politike.

“Ne duhet të dimë ta artikulojmë problemin tonë, luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, krerët në Hagë, janë shumë me rëndësi, janë shumë jetike për Kosovën, dhe ne nuk po dimë as ndërkombëtarëve, e as vetvetes t’ia artikulojmë se sa të rëndësishëm janë ata njerëz. Pra janë oksigjeni i lirisë së Kosovës, le të thotë kush çka të dojë, ata njerëz duhet të dalin të lirë, sepse po rrezikohemi si qenie, si shtet”, tha tutje Muçiqi.