Mrika Nikqi dhe i ati i saj, Arianit Nikqi kanë arritur me sukses që të ngjiten në majën më të lartë në botë, Everest.
Ekspedita e saj pritej me frikë për shkak se ditëve të fundit në Mont Everest pat shumë vdekje të alpinistëve për shkak të motit dhe mbipopullimit të shtigjeve nga alpinistët në ngjitje dhe ardhje nga maja më e lartë.
Ngjarja është bërë e ditur në ueb faqen e tyre, ku kanë shkruar:
“EKSPEDITA EVEREST 2019 PËRFUNDOJ ME SUKSES!
Mrika Nikqi dhe Arianit Nikqi në majen me te lartë në botë!
Mrikë Malsorja si 17 vjeçare njëherit alpinistja më e re nga të gjithë pjesëmarrësit botëror në Ekspediten Everest 2019, dhe si shqiptarja më e re, së bashku me babain Arianit Nikçi, sot me daten 27 Maj në ora 6:00 realizuan me sukses ngjitjen në majen më të lartë në botë Mt. Everest 8848 led.”
Everesti është pika më e lartë në botë, me 8848 metra mbi nivelin e detit.
Mrika Nikqi e cila është vetëm 17 vjeçare, ka për qëllim që para se t’i mbushë 18 vjet të ngjite në 7 majat më të larta në botë. Deri tani ka arritur që të ngjitet në 4 prej tyre.