Rrëfimi i Gramoz Berishës, mashkullit të vetëm të mbijetuar nga Masakra e Suharekës, është një dëshmi tronditëse e mbijetesës, dhimbjes dhe mrekullisë.
Ai rrëfen se 27 vite më parë, i plagosur në krahun e majtë, arriti të shtirej si i vdekur pasi forcat serbe e kapën bashkë me familjarët e tij në një piceri në Suharekë dhe i hodhën në kamion me trupat e tjerë.
Bashkë me nënën, Vjollcën, dhe Shyhreten, ata kërcyen nga kamioni dhe mbijetuan.
49 anëtarë të familjes Berisha, përfshirë motrën Dafina, vëllain Drilon dhe babanë Sedat u vranë.
Për vite me radhë, Gramoz Berisha u trajtua për plagën në krahun e majtë dhe mjekët besonin se plumbi kishte rrëshqitur jashtë trupit.
Por pas 27 vitesh, një dhimbje e fortë në krahun e djathtë e çoi te mjekët në Shtutgart të Gjermanisë.
Pas ekzaminimeve, ata zbuluan se plumbi që kishte synuar ta vriste kishte depërtuar nga krahu i majtë në të djathtin, pa prekur asnjë organ vital, një mrekulli që mjekët e quajtën “ein Wunder”.
Për 27 vite, ai kishte mbajtur në trup metalin që nuk arriti ta mposhtte.
Sot, ai e sheh këtë si simbol të mbijetesës së tij dhe të lirisë e pavarësisë së Kosovës.










