MPMS: Paga minimale të bëhet 250 euro
Në edicionin e mbrëmshëm “55 minuta” në RTK 3 përfaqësues të Ministrisë së Punës dhe të Mirëqenies Sociale, pastaj të Bashkimit të Sindikatave si dhe të Odës Afariste të Kosovës, kanë analizuar pse paga minimale në Kosovë është më e ulëta në rajon dhe kur pritet të ndodhë rritja e saj.
Mentor Tershnjaku nga Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale nuk i kishte të dhënat për numrin e punonjësve që marrin pagë minimale, mirëpo ai ka thënë se po punohet për rritjen e pagës minimale. Sipas tij Ministria i ka propozuar Qeverisë që paga minimale të rritet në 250 euro.
Nga deklarata e Tershnjakut doli në shesh se Qeveria nuk ka ndërmarrë asnjë hap për ndryshimin e pagës minimale pas propozimit të Këshillit Ekonomiko-social (KES) të cilin e kryeson Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS).
KES në fund të vitit 2017 kishte propozuar që paga minimale të rritet në 250 euro. Aktualisht ajo është 130 euro për punëtorët nën moshën 35-vjeçare dhe 170 për punëtorët mbi këtë moshë.
Në këtë ministri thonë se propozimi për rritje të pagës minimale në 250 euro është dërguar në Qeveri, porse deri më tani nuk është vendosur në rend dite për aprovim.