Zëvendësministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Çerkin Dukolli, dhe përfaqësues të organizatës “Help” morën pjesë në përmbylljen e projektit trevjeçarë “Mbështetje për stabilitetin socio-ekonomik, përmes fuqizimit të mikro-biznesit në Kosovë”, nga i cili kanë përfituar 850 mikrobiznese dhe janë trajnuar 600 të rinj kosovarë.
Zëvendësministri Dukolli, ka thënë se politikat që kanë të bëjnë me fushën e punësimit dhe mirëqenies sociale, janë jo vetëm një nga prioritetet më të rëndësishme të Qeverisë, por janë të ndërlidhura ngushtë edhe me agjendën e integrimit në BE.
“Përkundër përmirësimeve të fundit në tregun e punës dhe veprimeve të ndërmarra në vazhdimësi papunësia mbetet sfida kryesore ekonomike dhe sociale në vend. Rritja ekonomike e kohëve të fundit, është e pamjaftueshme për të përmirësuar dukshëm performancën e tregut të punës” ka thënë Dukolli.
Ai ka falënderuar të gjithë partnerët të cilët kanë kontribuuar së bashku me Organizatën ‘Help’ në rrugëtimin e suksesshëm të projektit,
“Si rezultat i këtij angazhimi të përbashkët janë përkrahur dhe krijuar mbi 600 biznese të reja dhe ekzistuese, janë krijuar vende të reja të punës, janë trajnuar shumë persona tjerë, dhe të gjitha këto kanë ndikuar pozitivisht në jetën dhe ekonomitë familjare të tyre” tha ai.