Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, konfirmon arrestimin e qytetarit të Republikës së Kosovës, Hazir (Arif) Haziri, nga autoritetet e Serbisë, më 8 shtator 2025, në pikën kufitare në Merdarë, gjatë hyrjes së tij në territorin serb me automjet privat.
MPJD, informon se “menjëherë pas marrjes së informacionit për këtë rast, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi është angazhuar përmes kanaleve zyrtare dhe diplomatike për të siguruar informacione të sakta dhe të plota mbi ndalimin e z. Haziri”.
“Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës ka adresuar një kërkesë zyrtare autoriteteve të Qeverisë së Serbisë për të konfirmuar arrestimin e z. Haziri dhe për të sqaruar arsyet ligjore të ndalimit të tij.
Lidhur me rastin, është njoftuar edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe përfaqësuesit diplomatikë të vendeve të Quint-it”, vijon njoftimi.
Tutje, thuhet se “nëse ndaj z. Haziri vendoset masa e paraburgimit dhe iniciohet procedurë penale, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi do të bëj kërkesën për vizitë zyrtare në qendrën e ndalimit”.
Në këtë fazë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës që të shmangin udhëtimet nëpërmjet territorit të Serbisë, me qëllim të garantimit të sigurisë dhe mirëqenies së tyre.
“MPJD gjithashtu nënvizon nevojën urgjente për reagim nga ana e Bashkësisë Ndërkombëtare ndaj praktikave represive të autoriteteve serbe, të cilat bien ndesh me parimet themelore të së drejtës ndërkombëtare dhe me konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut”, thuhet në njoftim.
“Rritja e rasteve të ndalimeve dhe maltretimeve të qytetarëve të Republikës së Kosovës nga autoritetet serbe përbën shkelje të frymës së dialogut dhe të marrëveshjeve të nënshkruara mes dy palëve.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës zotohet se do të vazhdojë të angazhohet me përkushtim për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës, kudo që ndodhen”, përfundon njoftimi.