Ndonëse paralajmëroi se nesër do ta vizitojë veriun, në ditën kur qytetarët atje do të votojnë për të zgjedhur kryetarët e katër komunave, Marko Gjuriqi, nuk do lejohet të hyjë në Kosovë. Këtë informacion e kanë konfirmuar nga Ministria e Punëve të Jashtme.
Në një intervistë për televizionin shtetëror serb, drejtori i të ashtuquajturës Zyrë serbe për Kosovën, Marko Gjuriq, tha se nesër ( e dielë), do ta vizitojë Veriun e Kosovës. ai planifikoi vizitë sepsi siç u shpreh këto zgjedhje janë të rëndësishme për t’i mbrojtur interesat e Serbisë. Por, një vizitë e tillë nuk do të jetë e mundur sepse MPJ nuk ia ka aprovuar kërkesën atij.
Këshilltari politik i ministrit të Jashtëm, Jetlir Zyberaj, tha se kërkesa për vizitë nuk i është aprovuar Gjuriqit sepse nuk është në përputhje me kriteret e marrëveshjes së Brukselit.
“Ka kërku sot leje, po ja kemi refuzu, sepse nuk është në përputhje me kriteret e marrëveshjes së Brukselit”, tha Jetlir Zyberaj për Gazetën Express.
Gjuriq ka bërë kërkesën sot, ndërsa marrëveshja thotë se kërkesa për vizita zyrtare duhet të bëhet gjatë ditëve të punës (nga e hëna deri të premtën), jo gjatë fundjavës.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme do të mbahen nesër në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë Veriore pas dorëheqjes së kryetarëve.
Dorëheqja e tyre ka ardhur për shkak të taksës 100% të vendosur nga Qeveria Haradinaj. Për disa muaj rresht, këto komuna mbetën pa kryetar, më pas presidenti Thaçi, mori vendim për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Vitin e kaluar, Policia e Kosovës ka arrestuar në Mitrovicë të Veriut shefin e të ashtuquajturës zyrës për Kosovën, Marko Gjuriq. Arrestimi ka ndodhur në tubimin serb në Kosovë, ku Gjuriq ka shkuar përkundër se autoritetet kosovare ia kanë ndaluar hyrjen.