MPJ bleu 15 mijë euro libra “Masakrat në Kosovë 1998-1999” për ngritjen e vetëdijes ndërkombëtare me të dhëna të pasakta

Ministria e Punëve të Jashtme në vitin 2025 kishte blerë 500 copë libra “Masakrat në Kosovë 1998-1999”, me qëllim të shpërndarjes përmes misioneve diplomatike të Kosovës. Por, ekspozita që përbëhej nga të dhënat e këtij libri u pezullua nga Komuna e Prishtinës.

Kontratën të cilën e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” në mes të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe “Dukagjinit” ka vlerën e 14 mijë e 999 eurove.

Kjo kontratë u planifikua të nënshkruhej më 14 maj të vitit 2025, derisa detyrën e ministres e ushtronte Donika Gërvalla. Ministria e Jashtme kishte kërkuar t’i blinte 500 copë libra.

Sipas përshkrimit të kontratës, nga shpërndarja e këtyre librave synohej të arrihen efekte të “Ngritjes së vetëdijes ndërkombëtare”.

Gjithashtu përmes këtij libri synohej t’i jepej një pasqyrë zhvillimeve që kanë ndodhur në Kosovë derisa në përshkrim thuhej: “Shumë vende ende nuk e kanë një kuptim të plotë apo të saktë të asaj çfarë ndodhi në Kosovë gjatë viteve 1998-1999. Një libër që paraqet fakte të verifikuara ndihmon në ndriçimin e opinionit ndërkombëtar dhe forcon kauzën e drejtësisë”.

Screenshot

Por, pikërisht për shkak të mos verifikimit të këtyre fakteve apo informacioneve të paraqitura në ekspozitë, Komuna e Prishtinës pezulloi lejen.

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama tha se versioni i Masakrës së Dubravës është i pasaktë dhe i pa pranueshëm.

“Jo në Prishtinë. Nuk lejojmë që në sheshin e Kryeqytetit tonë të përdhoset dinjiteti i qytetarëve dhe të fyhet kujtesa kolektive e popullit tonë. Ekspozita e financuar nga Kuvendi i Kosovës paraqet një version të pasaktë dhe të papranueshëm të Masakrës së Dubravës. Kjo është e papranueshme dhe përbën fyerje të drejtpërdrejtë ndaj viktimave dhe gjithë qytetarëve të Kosovës. Për këtë arsye, sonte menjëherë e pezullojme lejen për këtë ekspozim në sheshin e Prishtinës. Njëkohësisht, kërkojmë përgjegjësi politike dhe institucionale nga Kuvendi i Kosovës për miratimin dhe financimin e një përmbajtjeje të tillë skandaloze”, ka shkruar mbrëmë Rama.

Gjithashtu, reagim për këtë ekspozitë pati edhe nga Kuvendi i Kosovës që është financues i këtij projekti.

“Sqarim për media: Në lidhje me reagimet e fundit për ekspozitën, theksojmë se Kuvendi, në përputhje me mandatin e tij dhe praktikat e zakonshme institucionale, mbështet iniciativa që trajtojnë çështje me interes publik, përfshirë kujtesën kolektive, dokumentimin e luftës dhe nderimin e viktimave. Duke respektuar parimet themelore të lirisë artistike, të drejtës autoriale dhe krijuese, kjo mbështetje jepet pa ndërhyrë në përmbajtjen e projekteve të tilla. Përmbajtja dhe qëndrimet e paraqitura në kuadër të ekspozitës mbeten përgjegjësi e autorëve dhe organizatorëve të saj. Kjo është një praktikë standarde në mbështetjen e projekteve kulturore dhe nuk mund të keqinterpretohet si miratim apo redaktim i narrativës së paraqitur. Në të njëjtën kohë, mbrojtja e dinjitetit të viktimave dhe kujtesës kolektive mbetet obligim i përbashkët institucional dhe shoqëror, i cili kërkon trajtim të përgjegjshëm dhe të qëndrueshëm. Sidoqoftë, në këtë rast, Kuvendi do t’i adresojë shqetesimet e ngritura tek organizatorët e ekspozitës”, ka reaguar Kuvendi i Kosovës në Facebook.

OJQ “Integra” reagoi në Facebook duke thënë se Kosova nuk ka listë të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë.

“Për fat të keq, gati tri dekada pas përfundimit të luftës, Kosova nuk e ka një listë të të gjithë të vrarëve në luftën e fundit në Kosovë 1998-1999. Lista e vetme që kemi deri më tani është lista e hartuar nga organizata joqeveritare Humanitarian Law Center (HLC), e udhëhequr nga Nataša Kandić, të cilën Kryetari i Komunës së Prishtinës ia ka dhënë çelësin e Prishtinës. Ne e kemi cituar këtë listë të Nataša Kandić-it sepse nuk kemi listë tjetër të të gjithë të vrarëve gjatë luftës në Kosovë…”, thuhet në paragrafin e parë të reagimit të OJQ “Integra”.

Gjatë ditës, “Betimi për Drejtësi” gjithashtu ka raportuar se si këshilltarja politike e Albulena Haxhiut, Berita Abazi, ka marrë 2 mijë e 851 euro nga OJQ “Integra”.

Ndërkohë, profesori dhe studiuesi i historisë në UP, Durim Abdullahu, kishte shkruar një recension, në maj 2025, me titull “Një libër, nga një masakër në tjetrën”, ku kishte renditur pasaktësitë si në shifra. E kishte quajtur vepër të kompiluar.

Madje, kishte konstatuar se libri i Shkelzen Gashit s’ka metodologji e as bibliografi.

Abdullahu kishte konstatuar se libri i Gashit nuk mund të ndihmojë në formimin e një perceptimi të saktë për Kosovën me tekste gjysmake e joprofesionale”.

“Por kur lexohet ky libër, kuptohet që me përmbajtjen dhe nivelin e tij, ai nuk arrin asnjërin prej këtyre mëtimeve. Libri “Masakrat në Kosovë 1998-1999” nuk mund t’u bëjë homazh viktimave dhe as të shërbejë si burim edukativ dhe informues sepse ka shumë pasaktësi dhe paplotësi, nuk paraqet ndonjë studim serioz dhe të thelluar por vetëm një vepër të kompiluar nga disa pak libra të tjerë, pa teorizime, pa metodologji, pa bibliografi dhe pa krahasime burimesh. Aq më pak, ai nuk mund “të ndihmojë në formimin e një perceptimi më të saktë publik për Kosovën”, sepse duke i reduktuar rrethanat e masakrave në 200-400 fjalë, pa emra viktimash dhe vetëm me shifra, pa burime dokumentare, pa prezantim të rrethanave të gjera historike dhe me shumë mangësi e boshllëqe të tjera, ai vetëm sa i thellon duke i tekstualizuar një mori të dhënash gjysmake dhe tekstesh joprofesionale për masakrat në Kosovë të kryera gjatë viteve 1998-’99 dhe për historinë e gjatë të konfliktit shqiptaro-serb”, shkruante Abdullahu, në tekstin e tij botuar në koha.net.