Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur një tender trevjeçar rreth 1.3 milionë euro për furnizim me ushqim dhe pije për qendrat shtetërore të strehimit. Dokumentet tregojnë kërkesa të larta financiare e teknike që mund të kufizojnë konkurrencën, shkruan Demokracia.com.
Ministria e Punëve të Brendshme ka hapur një tender publik në vlerë prej 1,296,400 euro për “shërbime hoteliere me ushqim dhe pije” me kohëzgjatje 36 muaj, që do të mbulojë disa prej qendrave shtetërore në vend, përfshirë Qendrën për Azilkërkues në Magurë, Qendrën për të Riatdhesuarit në Tauk Bahçe, Qendrën e Mbajtjes për të Huaj në Vranidoll, dhe Qendrën për Strehimin dhe Rehabilitimin e Viktimave të Trafikimit me Qenie Njerëzore.

Sipas dokumenteve zyrtare të tenderit, kjo është një kontratë publike kornizë, çka do të thotë se MPB do të bëjë blerje periodike “sipas nevojës”, përmes urdhërblerjeve gjatë tre viteve të ardhshme.
Çka përfshin furnizimi
Tenderi parasheh ofrimin e 33 artikujve të ndryshëm të ushqimit dhe pijeve, me shërbim të plotë hotelier për personat e strehuar në qendrat e përmendura. Këto përfshijnë përgatitje ditore të vakteve, shërbim në vend, pije joalkoolike, dhe logjistikë transportuese të ushqimit me automjete frigoriferike.
Operatorët ekonomikë duhet të kenë:
Së paku 2 milionë euro qarkullim vjetor në tre vitet e fundit (2022–2024);
Staf të kualifikuar me përvojë, përfshirë 1 teknolog ushqimi, 3 kuzhinierë, 2 ndihmës kuzhinierë, 2 banakierë dhe 3 kamarierë;
Dy automjete frigoriferike dhe pajisje për ruajtje e transport të ushqimit në terren;
Dëshmi se kanë realizuar kontrata të ngjashme me vlerë së paku 1.5 milionë euro në tri vitet e fundit.
Kushtet financiare dhe garancitë
Tenderi kërkon garanci financiare të lartë:
-
30,000 euro sigurim të tenderit, që duhet të jetë aktiv për 120 ditë nga dorëzimi;
-
129,640 euro sigurim të ekzekutimit për fituesin, që mbetet në fuqi për 37 muaj nga data e nënshkrimit të kontratës
Kriteri i vetëm përzgjedhës është “çmimi më i ulët”, ndarë në tri kategori:
-
30% për grupin e parë të artikujve,
-
50% për të dytin,
-
20% për të tretin.
Afati i fundit për dorëzimin e ofertave është 16 dhjetor 2025, ndërsa hapja publike e tyre do të bëhet po atë ditë, në ora 14:00, në zyrat e MPB-së në Prishtinë.
Kriteret që ngrejnë dyshime
Edhe pse tenderi duket i rregullt në formë, disa kritere mund të interpretohen si kufizuese dhe favorizuese për kompani të mëdha:
Kërkesa për qarkullim 2 milionë euro në tre vite dhe kontrata të mëparshme mbi 1.5 milionë euro përjashton shumicën e operatorëve të mesëm vendorë që ofrojnë shërbime ushqimore.
Lista e stafit dhe kërkesa për automjete frigoriferike mund të reduktojë konkurrencën reale.
Për më tepër, tenderi është për një operator të vetëm, duke përjashtuar mundësinë e ndarjes në lote që do të lejonte konkurrencë më të gjerë dhe çmime më të favorshme për buxhetin publik.
Në këtë kontekst, tenderi mund të përfundojë në duart e një ose dy kompanive të mëdha që tradicionalisht kanë furnizuar institucionet publike, pa shumë garë të hapur.
Hapja publike e ofertave më 16 dhjetor do të tregojë nëse në garë do të ketë konkurrencë të vërtetë, apo nëse do të përsëritet modeli i tenderëve me fitues të paracaktuar që kanë shoqëruar prokurimin publik në Kosovë prej vitesh. /Demokracia.com/












