MPB-ja shpalli një tender për kafe duke vendosur kritere që kufizuan konkurrencën, por nuk u “doli shija”

Ministria e Punëve të Brendshme, e drejtuar nga Xhelal Sveçla, ka hapur një tender me titullin “Furnizim me kafe-kapsula, aparat për kafe dhe aparate të ujit” (Llot 1 dhe Llot 2), duke vendosur specifikime teknike që favorizojnë një produkt të caktuar, gjë që bie në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik, shkruan Demokracia.com.

Sipas dosjes së tenderit, vlera e parashikuar e kontratës është 16,950.00 euro për tre vite, ndërsa fitues i lot II është shpallur kompania MEDIATECH & PRINT SH.P.K.

Ministria ka anulur lot 1 për shkak se nuk ka pasur ofertues.

Te ky lot i anuluar, në specifikimet teknike, Ministria ka kërkuar furnizimin me:

Kapsulat illy klasiko (18 copa për komplet) – sasi prej 650 kompletesh;

Kapsulat illy inteso (18 copa për komplet) – sasi prej 700 kompletesh;

Aparate kafeje x7;

Gota letre për kafe 1/50 – 500 komplete.

Tenderi ka paraparë që ofertat të dorëzohen nga grupe operatorësh të caktuar, gjë që ngre shqetësime lidhur me qasjen e barabartë të operatorëve ekonomikë në garë.

Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, specifikimet teknike duhet të hartohen në mënyrë që të ofrojnë qasje të barabartë për të gjithë operatorët e interesuar dhe nuk duhet të përfshijnë përmendjen e markave tregtare, prodhuesve apo burimeve specifike, përveç rasteve të veçanta dhe të justifikuara.

Rregulloren nr. 001/2022 për prokurimin publik, neni 19.6 thekson qartë:

“Përcaktimi i specifikimeve teknike që referohen në një prodhim specifik është i ndaluar, përveç në raste të veçanta, ku referenca e tillë duhet të shoqërohet me fjalët ‘ose ekuivalente’.”

Megjithatë, në rastin konkret, Ministria nuk ka përshirë asnjë klauzolë që mundëson konkurrencë të hapur, duke kufizuar pjesëmarrjen e operatorëve që ofrojnë produkte alternative të ngjashme.

Përdorimi i emrit të markës “illy” si kriter i detyrueshëm i tenderit ka efekt përjashtues ndaj krejt brendeve tjera te njohura, p.sh disa prej tyre janë:

Nespresso

Lavazza

Dolce Gusto (Nescafé)

Tassimo (Bosch)

Caffitaly

L’Or

Starbucks

Prince Caffe (Devolli)

Kompania ‘Devolli’ prodhon kapsula në Kosovë nën markën Prince Caffe, të cilat mund të ishin një alternativë për furnizim. Kufizimi i konkurrencës duke përmendur vetëm markën “illy” sugjeron që tenderi është formuluar për të favorizuar furnizimin nga një kompani e caktuar, duke përjashtuar konkurrentët vendore, por dhe atë ndërkombëtare.

Pra, ky tender i Ministrisë së Punëve të Brendshme bie në kundërshtim me parimet bazë të Ligjit për Prokurimin Publik, i cili garanton konkurrencë të hapur dhe trajtim të barabartë të operatorëve ekonomikë. Përmendja e një marke specifike pa opsionin “ose ekuivalente” përjashton konkurrentët dhe mund të interpretohet si favorizim i një operatori të caktuar, duke vënë në dyshim transparencën dhe ligjshmërinë e kësaj procedure. /Demokracia.com/