José Mourinho ka dhënë një intervistë për “Canal 11”, nga grumbullimi në Portugali me Fenerbahçen e tij, ku ka bërë një reflektim të thellë dhe kritik mbi evolucionin e futbollit gjatë 25 viteve të fundit. Ish-trajneri i Real Madridit, Portos, Chelsea, Interit dhe Romës ka deklaruar pa doreza. “Sot, më i miri nuk është më ai që fiton, por që di të ndërtojë më mirë imazhin e vet.
Të jesh trajner është bërë më e vështirë. Përgatitja është ndryshe, loja ka ndryshuar, mediat kanë rol qendror. Sot duhen marrëdhënie të mira me publikun. Futbolli ushqehet me perceptime, jo me rezultate”, – shpjegoi “Special One”, i cili në moshën 62-vjeçare ndjehet ende i motivuar si në fillim të karrierës së tij.
Nuk munguan thumbimet e tij për Pep Guardiolën: “Ka trajnerë që thonë ‘vdes me idenë time’. Megjithatë, nëse vdes me idenë tënde, je budalla. Duhet të përshtatesh me lojtarët që ke”. Mourinho kujtoi se si Guardiola e zëvendësoi Joe Hart me Claudio Bravo dhe më pas me Ederson, vetëm për të qëndruar besnik ndaj stilit të tij.
Portugezi shprehu gjithashtu dyshime për Premier League e sotme: “Në vitin 2004 mbërritëm atje unë dhe Benítez, që të dy kampionë europe. Tani shkojnë trajnerë të panjohur, që nuk kanë fituar asgjë. Sot preferohen ata që dinë të shiten, jo ata që dinë të fitojnë”.
Megjithëse nuk fitoi asnjë trofe në vitin e tij të parë në Turqi, portugezi nuk e humb entuziazmin: “Nuk kam fituar, por dua të vazhdoj. Kam ende shumë për të dhënë”.
The post Mourinho “thumbon” Guardiolën: Ka trajnerë që thonë ‘vdes me idenë time’, ky është budallallëk appeared first on Telesport.