Kandidimi i Ena Kadajt, motrës së këshilltares së Presidentes, Donika Kadaj-Bujupi, në listën e koalicionit boshnjak “VAKAT” për zgjedhjet e 28 dhjetorit, ka shkaktuar përplasje brenda partisë.
Futja e Kadajt në garë për një ulëse në Kuvend është kundërshtuar hapur nga ish-deputetja dhe përfaqësuesja e njohur e komunitetit boshnjak, Duda Balje, e cila e ka cilësuar këtë lëvizje si tentativë për keqpërdorim të vendeve të rezervuara.
Balje ka deklaruar se përfshirja e Ena Kadajt në listën e VAKAT nuk është thjesht një kandidim, por një përpjekje për të manipuluar vullnetin e komunitetit boshnjak.
Ndaj këtyre deklaratave ka reaguar menjëherë Koalicioni VAKAT, përmes kryetarit të Partisë Demokratike Boshnjake, Rasim Demiri. Në një reagim publik, VAKAT ka hedhur poshtë akuzat për manipulim, duke sqaruar origjinën e kandidates së tyre dhe duke akuzuar Baljen për përçarje.
Reagimi i plotë i VAKAT:
Reagimi i Duda Baljës ndaj kandidaturës së Ena Kadajt paraqet një përpjekje tjetër për të devijuar vëmendjen nga thelbi dhe për të krijuar përçarje të panevojshme brenda komunitetit boshnjak. Për këtë arsye, është e rëndësishme të theksohen disa fakte kyçe.
Ena Kadaj është e lindur në Sarajevë. Ajo ka marrë emrin Ena sipas gjyshes së saj Tenzila, e lindur në Foçë, dhe prejardhjen e ka nga e ëma, Mirsada Kamberoviq, e lindur në Sarajevë. Jeton në Lindje. Familja Kamberoviq është një familje e respektuar e Sarajevës, e njohur për vlerat e saj morale dhe shoqërore. Daja i Ena Kadajt, vëllai i nënës së saj, Mirsad Kamberoviq, ishte pjesëmarrës në luftë dhe fitues i çmimit më të lartë të luftës – Lules së Artë. Për të gjitha këto fakte, Duda Balja i di shumë mirë, por i injoron me vetëdije.
Nga ana tjetër, do të ishte korrekte që Duda Balja t’i shpjegojë publikut se cili është, sipas kombësisë, Elldin Ugrali, i cili së fundmi është liruar nga detyra e zëvendësministrit nga kryeministri Albin Kurti, ndërsa detyrën e ushtronte në emër të SDU-së. Në profilin e tij personal në Facebook, emri i tij shkruhet në shqip – Elldin Uglari. Në boshnjakisht do të quhej Eldin Ugljari. Është po ashtu e rëndësishme të theksohet se Elldin Uglari ka qenë kandidat në listën e SDU-së në zgjedhjet e fundit qendrore, gjë që hap më tej pyetjen pse situata të tilla nuk paraqesin problem, ndërsa në të njëjtën kohë bëhen lehtësisht akuza në adresë të personave me prejardhje të qartë boshnjake.
Koalicioni Vakat nuk do të rrezikojë, dhe as nuk ka pasur ndonjëherë qëllim të rrezikojë, vendet e garantuara që i përkasin komunitetit boshnjak. Përfaqësimi politik i boshnjakëve mbetet prioriteti dhe obligimi ynë, pavarësisht përpjekjeve të individëve për të minuar integritetin dhe unitetin e komunitetit tonë.











