Pas reshjeve të dendura amtosferike që ranë javën e kaluar dhe shkaktuan shumë probleme në shumë pjesë të Kosovë dhe Shqipërisë edhe kjo javë parashihet të jetë e pasur me reshje të reja atmosferike të cilat mund të përkeqësojnë gjendjen me prurje të reja uji sidomos në shumë zona të Shqipërisë.
Përmirësimi i shkurtër i motit që ndodhi sot nuk do të zgjasë shumë. Fillimisht në Shqipëri dhe Mal të Zi priten reshje të reja lokale shiu, pastaj të marten mbrëma edhe në pjesë të Kosovës, fillimisht në Dukagjin, pastaj edhe në viset tjera. Në Dukagjin priten reshje dukshëm më të shpeshta sidomos në rajonet që kufizohen më Shqipërinë dhe Malin e Zi.
Masa të fuqishme ciklonike që kanë ardhur nga Atlantiku verior vazhdojnë të ushqehen në Mesdhe me lagështi dhe të sjellin reshje të shpeshta atmosferike edhe gjatë kësaj jave. Në Kosovë nuk do të duhej të kishte probleme nga reshjet e reja sepse nuk priten reshje të dendura, por mund të ndodhë rritja e nivelit të lumenjve nga shtetet fqinje. Në Ballkan pati reshje të dendura bore sidomos në Bosnjë, Kroaci dhe jugperëndim të Serbisë dhe kjo borë pritet të shkrihet dhe së bashku me reshjet e reja mund të shkaktojnë telashe të reja në rajon.
Sidoqoftë reshje më të dendura priten në veri-veriperëndim dhe jug-jugperëndim të Shqipërisë, lokalisht edhe në disa zona tjera. Në Kosovë priten më pak reshje, me përjashtim të disa zonave në Dukagjin në perëndim dhe veriperëndim të vendit ku reshjet mund të jenë të shpeshta.
Gjatë javës reshje të reja shiu priten edhe në Maqedoninë Veriore, Mal të Zi dhe Luginë të Preshevës.
E Marta në Kosovë do të kalojë pa reshje ose me reshje të pakta, po ashtu sikurse në Maqedoninë Veriore, por në Shqipëri priten më shumë reshje.
Mundësi për reshje bore.
Të Mërkurën reshje shiu priten në gati të gjitha viset, ndërsa në veri të Malit të Zi priten reshje bore. Reshje bore priten fillimisht vetëm në viset malore të viseve tona, por të Enjten me fuqizimin e ciklonit në Detin Jon dhe uljen e mëtutjeshme të temperaturave reshje bore priten edhe në disa ultësira të Republikës së Kosovës, veri-verilindje të Shqipërisë dhe veriperëndim të Maqedonisë së Veriut. Kjo ende mbetet për tu ndjekur.
Në viset tjera reshje do të jenë kryesisht në formë shiu. Reshje të herëpashershme, lokale shiu, shqote e bore priten edhe të Premten, por nga tani është shumë vështirë të përcaktohet me saktësi të lartë se ku pritet të ketë shi e ku pritet të ketë borë. Sipas ecurive aktuale sinoptike të shtunën reshjet do të fillojnë të pushojnë, por mbetet mot i vranët dhe paksa i ftohtë. Intervale kohore me diell priten në disa vise në Shqipëri dhe Maqedoninë Veriore.
Mot më stabil dhe më i qetë pritet të dielën me vranësira e mundësi për intervale kohore me diell.
Edhe një javë me mot me shumë vranësira në atmosferë dhe reshje të shpeshta shiu dhe mundësi edhe për reshje bore të Enjten dhe të Premten. Nuk pritet ndonjë esktrem përpos sasisë së reshjeve në disa zona edhe ashtu të mbuluara nga uji i reshjeve të ditëve të fundit. Në aspektin termik temperaturat do të jenë rreth vlerave mesatare apo pak mbi vlerat mesatare në tri ditët e para të javës.
Ndryshime në parashikim gjithsesi se mund të ketë për shkak të atmosferës dinamike dhe për çdo ndryshim do të njoftoheni në postimet tona të përditshme./MeteoBallkan











