Moti i keq, 9 persona dhe 5 mjete mbeten të bllokuara në Shqipëri

Kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci ka publikuar një video nga aksi rrugor Breg Lumi- Theth, ku shihet se si pasojë e motit të keq ka ndodhur një shembje masivi inertesh.

Sipas kryebashkiakut Beci, ky incident ka lënë të bllokuara 5 mjete dhe nëntë persona, ndërsa thekson se ekipet e emergjencave janë vënë menjëherë në punë për evakuimin e personave dhe zhbllokimin e rrugës.“Bashkia Shkodër është angazhuar menjëherë me të gjitha kapacitetet në terren, sapo është njoftuar për bllokimin e 5 mjeteve dhe 9 personave në aksin rrugor Breg Lumi – Theth, rreth 100 metra larg urës së fshatit Gimaj, si pasojë e shembjes së një masivi inertesh për shkak të motit të keq dhe reshjeve intensive.

Makineritë e rënda dhe fadromat janë vënë menjëherë në punë për zhbllokimin e rrugës, ndërsa një ekip i specializuar i emergjencave civile është nisur drejt zonës për të vlerësuar situatën dhe për të ndërhyrë me mjete të posaçme për evakuimin dhe garantimin e sigurisë së personave të bllokuar.”, shkruan Beci.

Për fat të mirë, Ekipi i Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen Civile në terren ka konfirmuar se banorët dhe familjet e bllokuara në Nderlysaj (Theth) janë evakuuar dhe tashmë nuk ka asnjë rrezik për jetën e tyre. Bashkia e Shkodrës po ashtu ka njoftuar se po merr masat për lirimin e rrugëve dhe rikthimin e normalitetit në transport, si dhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga kjo situatë e krijuar nga kushtet e vështira atmosferike.

Sjellim ndërmend se më herët ditën e sotme, zv.kryeministrja Belinda Balluku zhvilloi një takim koordinues me Agjencinë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, në kuadër të masave për përballimin e situatës që pritet të krijohet nga moti i keq në ditët në vijim.

Pika të dobëta Balluku cilësoi nënShkodrën, Fierin dhe Vlorën. Pavarësisht reshjeve të dendura, ajo theksoi se parashikohet rritje e temperaturave dhe se janë nën monitorim basenet dhe kaskadat.

Në këtë takim, të pranishëm ishin ministrat Albana Koçiu, Pirro Vengu e Andis Salla, si dhe Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako.