Mot i keq përfshin Italinë, alarm i kuq në disa rajone rrëshqitje dheu dhe evakuime

Italia po përballet me një situatë të rëndë moti këtë Krishtlindje, ku shirat e rrëmbyeshëm, erërat e forta dhe rreziku i rrëshqitjeve të dheut kanë vënë në alarm disa rajone. Autoritetet kanë shpallur alarm të kuq në provincat e Bolonjës, Ferrarës dhe Ravenës, ndërsa alarmi portokalli është në fuqi për Rimini dhe Forlì-Cesena.

Në San Lazzaro, në provincën e Bolonjës, janë kryer evakuime parandaluese për banorët që jetojnë në zonat më të ulëta, veçanërisht në fshatin Farneto, pranë përroit Zena, një zonë e goditur edhe më parë nga përmbytjet. Ndërkohë, në komunën e Fontanelice, një rrëshqitje dheu ka bllokuar rrugën kryesore që lidh qytetin me zonat përreth.

Mot i keq përfshin Italinë, alarm i kuq në disa rajone

Mbrojtja Civile ka ngritur alarmin edhe në Modena, Reggio Emilia dhe Parma, për shkak të rrezikut të shtuar nga rrëshqitjet e dheut. Lumenjtë Senio, Lamone dhe Montone, që kanë shkaktuar përmbytje të mëdha vitet e fundit në zonën e Ravenës, janë sërish nën monitorim të vazhdueshëm.

Mot i keq përfshin Italinë, alarm i kuq në disa rajone

Evakuime janë raportuar edhe në Castel Bolognese, Cotignola dhe Bagnacavallo. Autoritetet kanë hapur qendra strehimi dhe kanë urdhëruar largimin e banorëve brenda 300 metrave nga përrenjtë, ndërsa të tjerëve u është kërkuar të zhvendosen në katet e sipërme. Megjithëse disa lumenj kanë kaluar pragun maksimal të alarmit, për momentin nuk ka përmbytje të mëdha, por situata mbetet kritike dhe kulmi i rrezikut pritet gjatë mbrëmjes. (A2 Televizion)