Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Këshillit të Evropës, GLPS fajëson krizën institucionale

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka reaguar lidhur me mospërfshirjen e Kosovës në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës që po mbahet më 13 dhe 14 maj në Luksemburg.

GLPS konsideron se kriza institucionale ku tash e tre muaj pas zgjedhjeve nuk po arrihet konstituimi i parlamentit po i kushton vendit me anëtarësim në Këshillin e Evropës.

“Më 13 e 14 maj, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës u mblodhën në Luksemburg në takimin e tyre vjetor. Fatkeqësisht, në këtë takim nuk u diskutua kërkesa për anëtarësim e Kosovës e cila ka mbetur peng që nga viti i kaluar. Kjo situatë vjen në mes tjerash, si rezultat i paaftësisë së forcave politike parlamentare për kompromis për formimin e një legjislature dhe qeverie stabile pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti”

“Javët e kaluara do të duhej të ishin të mbushura me lobim intensiv dhe strategjik nga të gjithë akterët politikë për një votim të suksesshëm. Fatkeqësisht, në fakt ato u mbushën me debate shterpë mbi emrat dhe procedurat e mundshme për konstituim të Kuvendit. Fakti që nuk ka kuvend funksional edhe pas 15 tentimeve për zgjedhjen e një kryetari është pasqyra më e keqe e mundshme për vendin tonë”.

“Një situatë e tillë po i kushton rënd Kosovës në aspiratat e saj integruese, si në aspektin e humbjes së mundësive të rëndësishme sikurse antarësimi në KiE, e poashtu edhe ne përfitimin nga Plani i Rritjes së BE-së, për të cilin GLPS reagoi publikisht para disa ditësh”, thuhet në reagim, transmeton Klankosova.tv.

GLPS thekson mes tjerash në reagim se me mostrajtimin e aplikimit tani, votimi i radhës shtyhet për në maj të vitit të ardhshëm.

Ky grup njëherësh bën thirrje për përgjegjësi politike nga të gjithë forcat politike parlamentare dhe themelimin sa më të shpejtë të institucioneve të qëndrueshme, forta dhe stabile në mënyrë të ruhet interesi afatgjatë politik, ekonomik dhe financiar i vendit.

Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshill të Evropës në vitin 2022.