Mosparaqitja e dëshmitares shtyn seancën për Banjskën

Seanca kundër Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç dhe Dushan Maksimoviç është anuluar meqë Dragana Antonijeviç nuk është paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë është anuluar seanca kundër tre të akuzuarve për terrorizëm në veri të Kosovës – Blagoje Spasojeviç, Vladimir Toliç dhe Dushan Maksimoviç – për shkak të mungesës së njërës prej dëshmitareve në sallën e gjyqit.

Kryetari i Trupit Gjykues, Arben Hoti, ka thënë se në vend të dëshmitares, ftesën e ka pranuar babai i saj, i cili ka njoftuar se Dragana Antonijeviç është aktualisht në Serbi. Për shkak të kësaj, seanca e planifikuar për rastin “Banjska” është shtyrë për

Gjykata e Prishtinës ka paralajmëruar se do të shqyrtojë mundësinë e lëshimit të një urdhërese policore për të sjellë dëshmitaren në seancën e ardhshme. Në seancën e radhës, më 27 nëntor, do të dëshmojë një person nga Maqedonia e Veriut.

Të hënën ka dëshmuar dëshmitari anonim “A2” për sulmin terrorist në Banjskë. Ai është dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun, meqë Prokuroria Speciale ka vlerësuar se dëshmia e tij në një seancë publike mund t’ia cenojnë sigurinë personale.

Disa pjesëtarë të Policisë së Kosovës kanë dëshmuar për prokurorinë deri më tani prej se filloi rasti “Banjska” më 17 prill. Tre nga 45 të akuzuarit për sulmin terrorist në fshatin Banjskë të Zveçanit në shtator të vitit 2023 janë deklaruar të pafajshëm.

Ndryshe, përgjegjësinë për organizimin e sulmit e ka marrë Millan Radoiçiç, ish-nënkryetar i Listës Serbe – forca më e madhe politike e serbëve në Kosovë – që gëzon përkrahjen e Serbisë, për të cilin ekziston një edhe urdhërarrest ndërkombëtar.