Menaxhimi i dobët i mbeturinave, deponitë dhe prodhimi i energjisë kanë çuar në atë që Kosova gjatë pesë vjetëve të fundit të ketë nivelin më të lartë të emetimeve të metanit në Ballkanin Perëndimor. Sipas ekspertëve, emetimet e metanit paraqesin rrezik si për mjedisin ashtu edhe për shëndetin publik.
Gjatë pesë vjetëve të fundit Kosova ka regjistruar nivelin më të lartë të emetimeve të metanit për kokë banori në Ballkanin Perëndimor.
Sipas një raporti të Bankës Botërore të publikuar në vitin 2024, burimet kryesore të këtyre emetimeve janë deponitë, menaxhimi i dobët i mbetjeve dhe prodhimi i energjisë.
Agron Demi, drejtor i institutit “Atlas”, ka thënë se kjo pos për mjedisin paraqet rrezik edhe për shëndetin publik.
“Sa i përket metanit, do të duhej të kishte një plan më të mirë për grumbullimin e mbeturinave edhe riciklimin e tyre. Nuk është problem vetëm tek zonat urbane, por nëse vizitohen edhe deponitë për grumbullimin e mbeturinave gjendja është edhe më e rëndë. Ka shtetëzime të tëra të metanit edhe rreziku është që ato të shpërthejnë edhe ndikimi nga shpërthimi i tyre mundet me qenë deri në 10 kilometra, edhe me ndiku në humbjen e jetëve të njerëzve”, ka thënë Demi.
Ndotja nga metani krijon ozon të dëmshëm duke rritur rrezikun për sëmundje respiratore dhe probleme kardiovaskulare.
“Duke filluar nga mushkëritë d.m.th. sëmundjet kronike, në astma. Më së shumti ndikon në lajmërimin e shpeshtësisë së astmës. Pastaj ndërlidhja e ozonit me metanin shkakton çrregullime kardiovaskulare, ngritjen e shpeshtësinë e goditjes në tru e zemër si dhe në lindjen e parakohshme të fëmijëve”, është shprehur pulmologu Skënder Baca.
E profesori i kimisë në Universitetin e Prishtinës, Fetah Podvorica, tregon se ky gaz pa ngjyrë, pa erë e pa shije është i rrezikshëm edhe për shkak të ndikimit të tij në efektin serrë. Shpjegon edhe se si krijohet.
“Në vendet si Kosova, problem të madh paraqet menaxhimi i mbeturinave dhe në këto raste shtohet më tepër lagështia, prania e ujit e këtu mundësohet kalbja e këtyre materialeve dhe degradimi i tillë i materialit organik në ujërat që qëndrojnë pezull bëjnë që të lirohen sasi të mëdha të metanit. Po ashtu, mbetjet e shtazëve paraqesin një problem në vete, sepse gjatë atij procesi lirohet metani ndërsa shtazët edhe vetë gjatë procesit të tretjes e lirojnë metanin”, ka theksuar Podvorica.
Në një përgjigje për këtë problem, Ministria e Mjedisit ka njoftuar se ka paraparë disa masa porse, sipas saj, problem mbetet menaxhimi i mbeturinave.
“Për të reduktuar emetimet e metanit nga sektori i menaxhimit të mbetjeve, MMMPHI ka paraparë mes tjerash masa specifike për përmirësimin e menaxhimit të mbeturinave dhe reduktimit të deponimit të mbeturinave përmes Strategjisë dhe Planit të Veprimit për Menaxhimin e Integruar te Mbeturinave dhe Udhërrëfyesit për Ekonominë Qarkore, ndërsa për sektorin e energjisë janë paraparë masa për reduktimin e burimeve fosile te energjisë ne kuadër te Strategjisë për Energjinë”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Pos metanit, në ndotjen e ajrit dhe shëndetin publik ndikojnë edhe dyoksidi i karbonit dhe monoksidi i karbonit.