Rusia po i shtyn qëllimisht bisedimet e paqes për Ukrainën në mënyrë që të pushtojë më shumë territor dhe të forcojë pozicionin e saj negociues ndaj Amerikës, raportoi sot Moscow Times, duke cituar një burim të paidentifikuar në diplomacinë ruse.
Një burim diplomatik rus i tha medias se “koha tani po luan në favor të Rusisë” dhe se Kremlini dëshiron “të përfitojë sa më shumë prej saj”.
Ky shkrim vjen në ditën kur ndërmjetësuesit nga Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë sot bisedime të veçanta me delegacionet ruse dhe ukrainase në Arabinë Saudite. Përpara takimeve trepalëshe, përfaqësuesit ukrainas u takuan dje me delegacionin amerikan në një raund paraprak negociatash.
Një fokus kryesor i negociatave është të sigurohet që sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të ndalen. Si Rusia dhe Ukraina kanë rënë dakord në parim për këtë armëpushim të pjesshëm, por ai ende nuk është zbatuar.
Presidenti rus Vladimir Putin foli me presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan rreth marrëveshjes së OPEC+ dhe negociatave midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara për Ukrainën, tha Kremlini të hënën.
Sipas Reuters, Putin falënderoi presidentin e Emirateve të Bashkuara Arabe për ndërmjetësimin e shkëmbimit të të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës.