Misioni i OSBE-së në Kosovë ka reaguar me tone të ashpra lidhur me vendimin e fundit për të mos certifikuar Listën Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Përmes një deklarate publike, ky mision e ka cilësuar këtë veprim si një largim nga standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve dhe cenim të së drejtës për pjesëmarrje politike.
Në reagimin e tyre, OSBE thekson se vendime të tilla rrezikojnë të minojnë besimin e qytetarëve te procesi zgjedhor, duke krijuar perceptimin se institucionet po udhëhiqen nga agjendat politike dhe jo nga drejtësia.
“Jemi seriozisht të shqetësuar nga polarizimi politik në rritje brenda KQZ-së, i reflektuar në sjelljen e votimit që duket se drejtohet nga interesa partiake dhe jo nga kriteret ligjore dhe parimet demokratike. Një sjellje e tillë minon paanshmërinë dhe besueshmërinë thelbësore për një organ të pavarur të menaxhimit të zgjedhjeve”, shkruhet në reagimin e tyre.











