Drejtori i KDI-së, Ismet Kryeziu, e ka kritikuar VV-në për sjelljen e djeshme në KQZ në raport me Listën Serbe.
Ai ka bërë me dije se duke mos e votuar certifikimin e Listës Serbe, anëtaret e VV-së në KQZ po mundohen të shfrytëzojnë politikisht këtë veprim.
Në profilin e tij në “Facebook”, Kryeziu ka shkruar se këtë skenar partia e Albin Kurtit deri me tani e ka përsëritur disa herë.
“Veprimet e KQZ-së nuk janë as ligjore e as institucionale. Ato janë veprime të orientuara nga qëllime politike dhe jo profesionale, përmes të cilave po dëmtohet imazhi i KQZ-së dhe po jepet një mesazh i gabuar për lirinë e zgjedhjes dhe të drejtës së pjesëmarrjes në zgjedhje. Duke mos votuar certifikimin e Listës Serbe dhe duke e rikthyer këtë çështje në PZAP, anëtarët e VV-së po mundohen ta kthejnë procesin e çertifikimit të subjekteve politike nga pakicat serbe në mjet e favor partiak, gjatë fushatës zgjedhore. E njëjta skemë është përsëritur disa herë me radhë- një narrativë politike e papërgjegjshme dhe e dëmshme për proceset demokratike”, ka shkruar Kryeziu.











