Nga mos pagesa e përvojës se punës nga pronarët e kompanive private dhe disa nga institucionet shtetërore, punëtorët e sektorit privat të Kosovës humbin mbi 50 milion euro në vit.
Kështu thuhet në një njoftim për media të lëshuar nga Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës.
“Për çdo kompani private dhe institucion shtetëror që nuk e bëjnë pagesën e përvojës se punës, ne do ta njoftojmë Inspektoratin e Punës. Nëse edhe pas kësaj procedure kompanitë nuk reagojnë pozitivisht, ne me raportet e Inspektoratit të Punës do të i drejtohemi Gjykatës Themelore”, thuhet në reagimin e sindikatës.
Për këtë iniciativë sindikata ka përmendur se janë bazuar në Kushtetutën e Republikës se Kosovës, Ligjin e Punës si dhe marrëveshjen kolektive ku thuhet që të punësuarve t’i njihet e drejta e shtesës për përvojën në punë 0.5% të pagës bazë për çdo vit të plotë të përvojës se punës.
“Kërkojmë nga Inspektorati i punës që t’a bëjë vlerësimin e çdo të punësuari, për të cilët ne u ofrojmë të dhënat lidhur me përvojën e punës dhe të dilni me raport zyrtar për këto çështje. Sindikata do të jetë këmbëngulëse në zbatimin e neneve, ligjeve që kanë të bëjnë lidhur me përvojën (stazhin) e punës për punëtorët e sektorit privat të Kosovës, andaj i ftojmë punëtorët që të na ofrojmë argumente, të cilat dëshmojnë se stazhi i punës nuk ju është paguar ende”, përfundon reagimi.