(Mos) me u korit: Top-figura të VV-së distancohen nga himnizimi që Llalloshi i bëri Kurtit me këngën e Çun Mulës

Në Cyrih të Zvicrës, në njërin nga qytetet më të zhvilluara në botë, shembull botëror për dinjitet qytetar e jetë të mirë, këngëtarja-deputete e VV-së, Edona Lalloshi, na ktheu shumë vite mbrapa, tek primitivizmi komunist, kur i këndohej liderit të partisë. Llalloshi, për më tepër keqpërdori këngën e bajraktarit të Hotit, Çun Mula, duke e paraqitur kryetarin e partisë së saj, Albin Kurti, sikur, “…nuk jam djalë për me u koritë, jam Albini pushkë me qitë”. Ky i fundit i pranishëm në sallën luksozë zvicerrane, duartrokiti këngëtarën-deputete, që po i mveshte atë me atribute heroike, të cilat në fakt lideri i Vetëvendosjes, thjesht, nuk i ka.

Pasi ky improvizim kënge i shëmtuar, u bë viral gjithandej, duket se parita reflektoi. Dy zyrtarët kryesor të partisë, u distancuan nga Edona Llalloshi dhe improvizimi i saj i shëmtuar, duke e quajtur gabim. Konjufca e Haxhiu thanë se “nuk i këndohet njeriut për së gjalli…”

Çka tha Konjufca?

Numri dy i Lëvizjes Vetëvendosje, ka qenë shumë kritik, ndaj ish-deputetes së VV-së, Edona Llalloshi, duke thënë se nuk pajtohet fare me atë se i këndoi Albin Kurtit në Zvicërr.

“Ja nuk e pasna ni… qe hera e parë. Unë mendoj se… bile edhe Kurti, sepse e njoh shumë mirë, ai e ndan mendimin se për së gjalli njerit nuk i qitet kangë. Besoj që pajtohet Kurti në këtë pikë. Përmendorja është mirë me iu ngrit vetëm heronjëve, që janë figura madhështore. Përmendore e këngë i bëhet, Adem Demaçit, Ibrahim Rugovës, figurave të cilave shoqëria pasi të vdesin ua qet bilancin. Përmendore munden me të ba për së gjalli veç shoqnitë tjera, popuj tjerë ka kuptim. Por, na njëri-tjetrit, përmedndore edhe kangë nuk është mirë.” – tha ai.

Haxhiu?

Albulena Haxhiu nga VV është deklaruar për vargjet që ia kushtoi Edona Llalloshi Albin Kurtit gjatë tubimit në Cyrih.

Ajo ka thënë se nuk mendon që duhet t’i këndohen këngë njerëzve të gjallë, por ka thënë se Llalloshi nuk duhet të gjykohet për këtë.

“Unë kam qenë atë tubim në Cyrih, ishte hera e parë që e kam dëgjuar, por unë jam prej atyre njerëzve që mendoj se njerëzve të gjallë nuk duhet t’i këndohet, nuk duhet t’u kushtojmë këngë. Natyrisht që unë nuk e gjykoj Edona Llalloshin që e ka bërë një këngë të tillë, unë e vlerësoj jashtëzakonisht shumë punën që e ka bërë Edona Llalloshi ndër vite si një artisje, që unë e çmoj shumë dhe nuk mendoj që duhet të gjykohet në atë mënyrë se si po bëhet. Unë mendoj që është tejet e sforcuar, tendencioze, prandaj edhe nuk kam se çka të shtoj më shumë. Mendoj që veprën, punën disavjecare të Llaloshit nuk mund ta zbeh askush dhe nuk mund ta godasë askush”, tha Haxhiu.

Ndryshe, këngëtarja Edona Llalloshi nuk është prononcuar për këtë inskenim të shëmtuar e ofendues që i bëri këngës së heroit luftëtar Çun Mula.