“Mos më thuaj më se nuk ka uri”, telefonatë e tensionuar me Trump dhe Netanjahut për Ga*zën

Një bisedë e tensionuar është regjistruar midis Donald Trump dhe Benjamin Netanyahut. NBC News ka zbuluar se Presidenti amerikan e ngriti zërin dhe e ndërpreu papritur kryeministrin izraelit gjatë telefonatës shumë të tensionuar kur Netanjahu këmbënguli se “nuk ka uri” në Rripin e Gazës.

Incidenti, i cili ndodhi më 28 korrik, erdhi si kulm i tensioneve në rritje midis dy aleatëve, mes shqetësimeve të mëdha në lidhje me situatën humanitare në rajon.

Sipas raportimit të NBC News, i cili bazohet në raportet nga një zyrtar i lartë amerikan, dy ish -zyrtarë amerikanë dhe një diplomat perëndimor, konfrontimi shpërtheu një ditë pasi Netanjahu bëri një deklaratë publike nga Jerusalemi në të cilën ai siguroi se “nuk ka politikë urie në Gaza”. “Nuk ka uri në Gaza”, shtoi ai.

Trump, duke folur me gazetarët, pohoi se kishte parë imazhe të fëmijëve që “duken shumë të uritur”, duke thënë: “Është e qartë se atje ka krizë urie të vërtetë dhe nuk mund ta falsifikosh këtë.”

Deklarata e tij e shtyu Netanjahun të kërkonte një telefonatë. Gjatë bisedës, thuhet se Netanhahu përsëriti se kriza e urisë ishte shpikur nga Hamasi për qëllime propagande. Sipas të njëjtave burime, Trump e ndërpreu papritur, ngriti zërin dhe i bërtiti: “Nuk dua të dëgjoj më se uria është e rreme”.

Presidenti amerikan thuhet gjithashtu se deklaroi se kishte parë prova nga ndihmësit e tij që tregonin fëmijë që vdisnin urie. Megjithatë, zyra e Netanjahut e mohoi kategorikisht episodin, duke e quajtur atë “lajm absolutisht të rremë”.

“Pretendimi për një përballje të supozuar verbale midis Kryeministrit Netanyahu dhe Presidentit Trump është plotësisht i rremë”, thuhet në një deklaratë nga zyra e kryeministrit izraelit.

Një ish-zyrtar amerikan e përshkroi telefonatën si “të drejtpërdrejtë dhe të njëanshme”, duke vënë në dukje se Trump bëri pjesën më të madhe të bisedës, duke u përqendruar në situatën humanitare në Gaza.

Thirrja erdhi mes paralajmërimeve të përsëritura nga OKB-ja se një zi buke në Gaza ishte e afërt. Agjencitë e ndihmës thonë se shumë familje po mbijetojnë me bukë dhe ujë, ndërsa imazhet dhe videot që qarkullojnë në internet përforcojnë pretendimet për kequshqyerje.

Pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare, Netanjahu këmbëngul se Izraeli nuk po kufizon furnizimet me ushqim dhe akuzon Hamasin për manipulim të situatës.

Pas bisedës së nxehtë me Trump, i dërguari special i SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, vizitoi rajonin me një mision për të koordinuar më mirë ofrimin e ndihmës humanitare. Zyrtarët izraelitë shprehën kënaqësi për vizitën, duke marrë parasysh se patën mundësinë të paraqisnin sfidat e tyre dhe të mbronin qëndrimin e tyre. /A2

 

The post “Mos më thuaj më se nuk ka uri”, telefonatë e tensionuar me Trump dhe Netanjahut për Ga*zën appeared first on Kosovapost.net.