Reshjet e mëdha të shiun në24 orët e fundit kanë rënduar gjendjen në disa rajone të Kosovës.
Si pasojë e këtyre reshjeve, disa komunat janë prekur edhe nga vërshimet.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar së reshjet do të vazhdojnë, ndërsa komunat kanë ftuar qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë.
IHK ka njoftuar se nga vërshimet është prekur pjesa perëndimore e Kosovës, përfshirë Gjakovën, Junikun, Deçanin, Malishevën dhe Klinën, si dhe në disa zona të pjesës qendrore të vendit.
“Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut gjatë ditëve të fundit, në disa zona të vendit, konkretisht në pjesën perëndimore (Gjakovë, Junik, Deçan, Malishevë, Rahovec, Klinë, etj.), si dhe në pjesën qendrore, janë shkaktuar vërshime lokale. Si rezultat, disa lumenj dhe përrenj kanë dalë nga shtretërit e tyre. Këto reshje, me intervale dhe intensitet të ndryshëm, pritet të vazhdojnë edhe gjatë ditëve në vijim, duke mundësuar paraqitjen e vërshimeve lokale, probleme në komunikacion, në sistemet e kanalizimit, si dhe vështirësi në trafik. Aktualisht, lumenjtë kryesorë të vendit, veçanërisht ata në pjesën qendrore, lindore dhe jugore (Ibri, Sitnica, Lepenci, Morava e Binçës, etj.), paraqesin ngritje të lehta të nivelit të ujit”, është thënë në njoftim.
Deri me tani, më e prekura nga vërshimet është Komuna e Malishevës.
Kjo komunë ka bërë thirrje për kujdes të shtuar ndaj qytetarëve, për shkak të gjendjes së rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera të shiut që kanë përfshirë territorin e komunës.
“Shtabi Emergjent për menaxhimin e situatave emergjente u bën apel të gjithë qytetarëve të Komunës së Malishevës që të shmangin lëvizjet e panevojshme, për shkak të gjendjes së rënduar të krijuar nga reshjet e pandërprera.“Shumë rrugë janë bllokuar nga uji si pasojë e rritjes së nivelit të lumenjve dhe përroskave, duke e vështirësuar qarkullimin. Andaj, lusim qytetarët që të mos lëvizin pa nevojë dhe, në rastet kur lëvizja është e domosdoshme, të shfrytëzojnë rrugët alternative.”, është thënë në njoftim.
Thirrje qytetarëve për kujt iu ka bërë edhe Komuna e Prishtinës.
Përmes një njoftimi, komuna e Prishtinës ka paralajmëruar se si pasoj e reshjeve të mëdha të shiut mund të ketë vështirësi në qarkullimin rrugor.
“Bazuar në informacionet zyrtare nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, njoftojmë qytetarët e Kryeqytetit se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar mbi 25 mm/m² reshje shiu, ndërsa reshjet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim me intensitet të ndryshueshëm. Si pasojë, mund të ketë: vështirësi në qarkullimin rrugor, mbingarkesë të kanalizimit dhe ujërave atmosferike, grumbullim të ujit në zona urbane dhe nënkalime, rrezik për rrëshqitje lokale të dheut në zona të ndjeshme. Apelojmë te qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të shmangin zonat e përmbytura dhe të raportojnë çdo situatë që paraqet rrezik për sigurinë publike”, është thënë në njoftim.
Kurse, ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka njoftuar se nga mbrëmë ekipet e mirëmbajtjes janë në gatishmëri për të menaxhuar reshjet e shiut.
Ai ka treguar se ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po ndërhyjmë kudo që është e mundur.
Në profilin e tij në “Facebook”, Durmishi ka ftuar qytetarët për kujdes gjatë lëvizjes.
“Që nga mbrëmë jemi në gjendje gatishmërie për të menaxhuar sa më mirë reshjet e shiut, të cilat kanë ndikuar edhe në disa nga rrugët tona. Ekipet e mirëmbajtjes janë në terren dhe po ndërhyjmë kudo që është e mundur për të përmirësuar kushtet e qarkullimit. Megjithatë, na duhet edhe bashkëpunimi juaj, ju lusim të vozitni me kujdes të shtuar dhe t’u përshtateni kushteve të rrugës”, ka shkruar ai.
Vërshime nga reshjet e shiut, situatë e rëndë në Drenas (Pamje)










