Ilir Morina, i cili deri vonë ka qenë kryeshef i Agjencisë për Ruajtjen e Ambientit e i cili ka qenë në komisione të ndryshme qeveritare për ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, në EURO n’T7 ka thënë se që nga viti 2005 qeveritë kishin projekte konkrete energjetike, derisa mospuna e qeverisë Kurti na bëri të varur nga importi i energjisë.
Sipas tij, projekti i parë qeveritar ishte për 2100 megavat, ndërsa më vonë projektet u zvogëluan deri në 500 megavat.
Morina ka thënë se me miliona euro janë shpenzuar për të hartuar projekte energjetike e për të ndërtuar një termocentral.
Ai ka shpjeguar se shumë organizata joqeveritare, financat e të cilave nuk dihej nga vinin, kanë punuar ditë e natë që të ndalen të gjitha projektet energjetike që për burim kishin thëngjillin.
“Kosova ka jetu dhe vazhdon me jetu mbi thëngjill, ashtu siç e ka thënë edhe vetë ish-kryeministri Kurti, ndërsa ne vazhdojmë të mos e shfrytëzojmë këtë thëngjill dhe paguajmë shtrenjtë energjinë elektrike. Në 2006/07 ish-ministri Et’hem Ceku kishte propozuar termocentral me 2100 megavat energji elektrike, ku për konsulenca ishin paguar 11 milionë euro, projekt ky që ishte i bazuar në përvojat amerikane dhe me të cilin do të shfrytëzonim thëngjillin dhe burimet tona të ujit. Pastaj u ndalua 2100-shi dhe u propozuan dy termocentrale nga 500 megavat e në fund dy nga 300 megavat dhe kjo bëhej kinse me qëllim të mbrojtjes së ambientit. Për ne ishte më rëndësi dhe për ruajtjen e ambientit që të kemi një termocentral të ri me filtra, sesa të vazhdonim të përdornim termocentralet e ndërtuara në vitet e ’70-ta e ’80-ta. Ne nuk kemi lëshuar pe asnjëherë në aspektin e ruajtjes së ambientit”, ka thënë Morina.
Në anën tjetër, Morina emëroi edhe fajtorin e vetëm për dështimet për ndërtimin e kapaciteteve të reja e që sipas tij është Albin Kurti me qeverinë e tij, pa dhënë asnjë alternativë se si të mos varemi nga importi i energjisë elektrike.
“Albin Kurti ndërpreu projektin e fundit energjetik me të cilin kishim edhe kontratë për fillimin e punimeve, pa na e dhënë asnjë alternativë dhe kjo padyshim ndikoi që ne të varemi nga importi i energjisë elektrike. Për mua është e pakuptimtë se si politika ndal një projekt të madh dhe nuk jep alternativa pak më të mira. Kjo qeveri përveç se vetë nuk po bën asgjë në ndërtimin e kapaciteteve të reja energjetike, po bllokon edhe investimet private në ndërtimin e kapaciteteve të reja, sikur është rasti në Gjakovë ku në 250 hektarë do të vendoseshin panele solare për prodhimin e 110 megavatëve energji elektrike. Kompania, edhe pse ka të gjitha lejet e nevojshme nga ZRrE-ja, qeveria nuk jep lejen kinse për mungesë të bordeve kompetente dhe krejt këto janë të qëllimshme”, ka shtuar Morina.
Sipas tij, biznesmenët kosovarë kanë shumë mundësi kapitale për të investuar në energji solare, por për shkak të pengesave nga qeveria janë ndalur.











