Monza, mbyllet epoka “Berlusconi”. Klubi kalon në pronësi të një fondi amerikan

Marrëveshja për shitjen e AC Monza nga “Fininvest” te fondi amerikan “Beckett Layne Ventures”, një shoqëri “venture capital” me qendër në Larchmont, shteti i Nju Jorkut, është firmosur. Sipas asaj që ka rindërtuar ANSA, operacioni është strukturuar në dy faza: fillimisht kalimi i 80% të kuotave dhe, pas 12 muajsh, shitja e 20% të mbetura. Vlera totale e marrëveshjes llogaritet rreth 30 milionë euro, duke përfshirë edhe disa bonuse të lidhura me objektiva të mundshëm.

Ishte 28 shtatori 2018, kur Silvio Berlusconi u rikthye në botën e futbollit, pas shitjes së Milanit, duke blerë Monza. Nën drejtimin e tij, klubi briancol arriti rezultate të paimagjinueshme deri atëherë, si ngjitja historike për herë të parë në Serie A. Pas vdekjes së “Kavalierit” nisi rënia, e cila kulmoi me rënien e skuadrës në Serie B dhe vendimin e familjes “Berlusconi” për ta shitur klubin.

Ky vendim u bë publik nga presidenti i nderit Paolo Berlusconi në fund të majit: “Me vdekjen e Silvios, që ishte në të vërtetë qendra e këtij projekti, dhe pasi u shpenzuan me të vërtetë shumë para për një ëndërr, sot familja, do të thoja me të drejtë, kërkon një grup të besueshëm që të mund të garantojë të ardhmen e klubit dhe të marrë drejtimin e tij”.

Në këtë operacion marrin pjesë gjithashtu disa familje të rëndësishme sipërmarrësish nga Brianca, mes tyre familja “Agrati”, aktive në sektorin e sistemeve të fiksimit dhe të komponentëve për industrinë automobilistike, dhe familja “Fontana”, që drejton një grup ndërkombëtar të specializuar në ndërtimin e stampave dhe prodhimin e karrocerive prej alumini.

The post Monza, mbyllet epoka “Berlusconi”. Klubi kalon në pronësi të një fondi amerikan appeared first on Telesport.