I takon ish-kapitenit të Milanit, Riccardo Montolivo, të analizojë kampionatin e ardhshëm të Serie A përmes “La Repubblica”. Duke nisur pikërisht nga klubi kuqezi: “Allegri dhe Tare kanë qenë dy blerje të mëdha. Max është një trajner me sens të shëndoshë, i vendos lojtarët në pozicionin e duhur dhe arrin të nxjerrë në pah cilësitë e skuadrës.
Milani është forcuar në mesfushë, i mungon ende diçka prapa, por besoj se këtë sezon do të jetë protagonist. Allegri sjell organizim dhe soliditet. Pastaj, tashmë e ka të qartë si ta rreshtojë skuadrën në fushë, duke u përpjekur të nxjerrë në pah cilësitë e lojtarit të tij më të mirë, që është Leao. Me përvojën e tij fituese, Max do ta ndryshojë mentalitetin e këtij Milani”.
Sa i përket favoritit për titullin, vëmendja zhvendoset disa kilometra më në jug të Milanos: “Napoli është përpara të tjerëve, madje shumë. Është e vetmja skuadër që ka ruajtur vazhdimësinë në pankinë, kësaj vere ka shtuar cilësi dhe alternativa, ato që munguan sezonin e kaluar. Megjithatë, edhe kështu, ata arritën të fitonin. Pastaj Conte ka të njëjtën urrejtje për humbjen si gjithmonë”.
Në fund, Montolivo, i pyetur për fazën e re të kombëtares, që tani i është besuar Gennaro Gattuso, nuk e kursen një thumb për trajnerin aktual, me të cilin, në kohën kur ishin bashkë te Milani, marrëdhënia nuk ka qenë aspak ideale: “Federata e kuptoi që mes grupit dhe Spallettit ishte thyer diçka.
Zgjedhja ra mbi një nga të paktët trajnerë të lirë. Shpresoj të jetë zgjedhja e duhur. A i kemi rindërtuar marrëdhëniet? Nuk kemi asnjë lloj marrëdhënieje, nuk ka asgjë për të rindërtuar. Ai ka marrë disa vendime të pakuptueshme ndaj meje, pa më dhënë shpjegime. Raporti mes nesh ka mbaruar”.
The post Montolivo “skanon” Serie A: Napoli mbetet për t’u mundur. Allegri, zgjedhja e duhur për Milanin appeared first on Telesport.