Monitorimi i zgjedhjeve, zyrtarë të SHBA-së dhe Britanisë nisin takimet në Tiranë

Ndërkombëtarët në Tiranë kanë nisur takimet me zyrtarët e institucioneve kyçe që lidhen direkt me sigurinë dhe parandalimin e krimit zgjedhor.

Ministri i Brendshëm, nën varësi të të cilit është Drejtoria e Gjendjes Civile që përpilon dhe afishon listën e votuesve, u takua me të ngarkuarën me punë të SHBA në Tiranë zonjën Nancy VanHorn.

Përmes një njoftimi u bë e ditur ndër të tjera se është biseduar rreth procesit elektoral të 11 majit, sidomos për gjendjen civile dhe Policinë e Shtetit që sipas ligjit garanton sigurinë e fushatave dhe të procesit zgjedhor.

“Ambasadori i Madhërisë së Tij në Shqipëri, Nicholas Abbott, u takua me Altin Dumanin, Kreun e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), dhe rikonfirmoi angazhimin e Mbretërisë së Bashkuar për të mbështetur SPAK-un. Në prag të zgjedhjeve, mirëpresim përpjekjet e SPAK për të mbështetur demokracinë shqiptare përmes hetimit të krimeve zgjedhore.

Gjatë pesë viteve të funksionimit të tij, SPAK është bërë një nga institucionet më të besuara në Shqipëri dhe është njohur ndërkombëtarisht si i tillë. Mbretëria e Bashkuar mbetet një partnere krenare e SPAK dhe pret me kënaqësi bashkëpunimin e mëtejshëm në vitin 2025”, thuhet në reagimin e Ambasadës britanike në rrjete sociale.