Molliqaj: Vendimi për pezullimin e licencës së Artmotion ngjason në një fletërrufe

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka reaguar ndaj vendimit të ri ARBK-së për të shfuqizuar certifikatën e biznesit kompanisë “ArtMotion”.

Molliqaj thotë se nëse dikush ka thënë se sistemi nuk akomodon regjimet autoritare, nuk do të thotë më.

“Kush thoshte që sistemi nuk akomodon regjimet autoritare? A thotë më? Vendimi i fundit për pezullimin e licencës tash edhe të Artmotion ngjason në një fletërrufe. As nuk janë lodhur për mbështetje e arsyetim më të qëndrueshëm, gjithsesi skandaloz. Çdo shkelje ligjore apo gabim mund të interpretohet si e motivuar dhe tendencioze nga pushtete paranojake që kontrollin dhe diktatin i kanë mjete dhe qëllime”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.

Ai thotë më tej se “mjafton të ekzaminohet fjalori me të cilin shërbehet ministrja Hajdari, për ta pa çfarë lufte speciale po i bëhet mediave”.

“Këto regjime përherë thirren në ‘kërcënim ndaj sigurisë publike’ e ‘shkelje të normave kushtetuese’. Tipike. Por, kur shkelja bëhet nga ata, e konstatohet edhe nga Gjykata Kushtetuese, heshtja kaplon”.

“Në Republikën e tretë të Kurtit nuk ka gabime teknike, ka qëllime dhe tendenca. Nuk ka korrigjime, ka ndëshkime. Nuk ka dyshime, ka aktakuza. Kjo ta kujton këtë tregimin sesi forcat reaksionare janë në përpjekje për tu kthyer, përmes një kundër-revolucioni. Por mediat nuk janë armiku i Kosovës, e as partia në pushtet nuk bëri ndonjë revolucion”.

“Këtë luftë, kjo qeveri e ka të humbur varësisht sa do të jemi të mobilizuar ne si shoqëri. Në fund të ditës disiplinimi i mediave është përpjekje që të kontrollohemi ne, qytetarët e këtij vendi. Trajta që ka marrë mësymja kundër fjalës së lirë vendosi në dukje rëndësinë e mediave pikërisht në këtë kontekst politik të rënd për vendin”, ka përfunduar Dardan Molliqaj.

Related Posts