,

Molliqaj takon ish-krerët e UÇK-së në Hagë, do ndryshim të Ligjit për Specialen

Kreu i PSD-së, Dardan Molliqaj ka bërë të ditur se ka takuar të gjithë ish-krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.

Në Hagë ndodhën Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, Sali Mustafa, Pjetër Shala, Nasim Haradinaj dhe Hysni Gucati.

Përmes një postimi në Facebook, ai premtoi se si parti do të bëjnë gjithçka për ta ndryshuar Ligjin për Specialen.

“Do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara. Emri i UÇK-së nuk mund të jetë nën akuzë. Kosova duhet të bashkohet për drejtësi. Për juristët e ardhshëm, padrejtësia në Hagë do të bëhet shembull, ilustrim unik për shkeljen e të drejtave”, shkroi Molliqaj.

Postimi i plotë:

Bashkë me Qëndronin dhe Kujtimin për 3 ditë rresht po qëndrojmë në Hagë. Udhëtimi në Hagë qenka edhe udhëtim në kohë. Siç duket koha historike nuk e ndjek lëvizjen e njetrajtshme e të kurdisur të akrepave. Përjetuam diçka që e kemi ditur si të kryer. Forcat që tërheqin nga mbrapa nuk e pranojnë ngadhënjimin e të vërtetës. Haga të dashur miq është Kosova alternative. Haga është Kosova që mund ta kishim pa UÇK-në. Të mbyllur me dyer hekuri.

I pamë dhe i takuam të gjithë. Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Sali Mustafën, Pjetër Shalen, Nasim Haradinajn dhe Hysni Gucatin. Respektivisht, aty ishte politika e luftës; informimi e fjala e saj; zbulimi e guerilja; disiplina e mbikëqyrja.

Bisedat tona janë endur, janë përzier e janë kryqëzuar. Disa prej tyre nuk i kishim njohur personalisht. Nga atje, Prishtina e vitit 2023 është shumë larg. Distanca është sidomos kohore. Aty jetohet në vitet 1997-1999. Aty gjykohet UÇK-ja, aty paguhet ende çmimi i lirisë.

Do të bëjmë gjithçka që mundemi për ta ndryshuar Ligjin për Dhomat e Specializuara. Emri i UÇK-së nuk mund të jetë nën akuzë. Kosova duhet të bashkohet për drejtësi. Për juristët e ardhshëm, padrejtësia në Hagë do të bëhet shembull, ilustrim unik për shkeljen e të drejtave.

Related Posts