Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, përmes një shkrimi në llogarinë e tij në facebook ka thënë se pushteti që po vjen tashmë po jep edhe shenjat e para të krijimit të Zajednisës. Ai gjithashtu tha se qytetarët e Kosovës kanë edhe një ditë kohë që ta ruajnë demokracinë, duke mos i dhënë udhë një pushteti që seriozisht e kërcënon demokracinë.
I pari i PSD’së gjithashtu tha se strukturat politike në Kosovë do të ndërrohen, e demokracia në vend po rrezikohet seriozisht.
Në këtë shkrim, Molliqaj thotë se nesër do të konfirmohet ajo që po duket e pashmangshme, por edhe pak kohë për ta bërë të shmangshme.
Për këtë pushtet që po vjen, sipas Molliqajt, ky i fundit thotë se ka kombinim të popullizmit me mendësi autoritare.
Statusi i plotë i Molliqajt:
“E vjetra po vdes, kurse e reja nuk po arrin të lindë. E në këtë fazë të ndërmjetme shfaqet një larmi e madhe e simptomave të frikshme.” – Antonio Gramsci.
Të dashur qytetarë,
Nesër do të konfirmohen ato që janë bërë të pashmangshme:
– Projektit politik të 20 viteve të fundit po i kalon koha,
– Struktura politike në Kosovë do të ndërrojë me themel,
– Demokracia në vendin tonë do të rrezikohet seriozisht,
– Shoqëria jonë po vihet sërish në lajthitje,
– Por ngjizja e rezistencës së re veçse ka filluar.
Nesër do të konfirmohet ajo që po duket e pashmangshme. Por ka edhe pak kohë për ta bërë të shmangshme. Ka edhe një ditë kohë që qytetarët ta ruajnë demokracinë duke mos i dhënë udhë një pushteti që seriozisht do ta rrezikojë atë. Pushtet që tashmë po shihet dhe s’ka çka të provohet:
– Kombinim i popullizmit me mendësinë autoritare,
– Centrizëm në ekonomi. Pa asnjë ndërrim strukturor ekonomik. Duke mos i prekur oligarkët e duke mos e rishpërndarë pasurinë. Duke vazhduar t’i lë të pasurit të pasurohen më shumë ndërsa të varfërit të varfërohen më tutje,
– Autonomist në politikë duke dhënë shenjat e para për krijim të Zajednicës,
Prandaj të hënën nuk fillon epoka e këtij pushteti. Sepse ky pushtet tashmë e ka shtrirë diskursin e tij. Këtij pushteti i janë dorëzuar në diskurs shumica e partive dhe opinionbërësve të këtij vendi. Kjo nuk është befasi, siç nuk është normale.
Të hënën fillon epoka e opozitës së re. Epoka e të panënshtruarve, të cilët mund t’i kenë humbur zgjedhjet, mund të kenë bërë gabime, mund t’mos i kenë numrat, por e kanë fuqinë e idealeve për demokraci, zhvillim e barazi. Sepse asnjëherë s’duhet të harrojmë që kurrë s’je pakicë, derisa nuk i nënshtrohesh shumicës.
Të hënën fillon diskutimi rreth llojit të opozitës që duhet të ndërtohet në këtë vend. Sepse nuk mund të përballet suksesshëm regjimi i ri, me mënyrën e vjetër të të menduarit.
Prandaj duhet të bashkohemi rreth një diskursi të ri opozitar. Një diskursi që e shpjegon qartë çka po i ndodhë Kosovës. Që hapë horizont përkundër mbylljes që do të tentojë të sjellë pushteti i ri.
Një diskurs i majtë që në qendër të vet ka barazinë, demokracinë dhe përparimin. Sepse kërkesa për pushtim të hapësirës tashmë është shtypje. E çdo shtypje prodhon rezistencën. Pretendimi për fund te historisë është veçse provë për subjektin e përkohshëm. Të dyja këto përbëjnë fushën e aksionit.