Molliqaj: Nëse Glauku e mohon se ka qenë në SHIK, flasim më pas
Dardan Molliqaj, deputet i PSD-së sonte sërish ka thënë se shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca për një vit të tërë ka qenë anëtar i SHIK-ut.
“Unë ju kam thënë vazhdimisht për një vit që mos na sulmoni, sepse do t’i nxjerrim këtë në publik dhe ata nuk janë ndalë. Mirëpo tash në secilën seancë të Kuvendit, një nga një, do t’ua them të vërtetën. As kur ju kom thënë për PDK-në e as për SHIK-un në Kuvend asnjëri nga ata nuk e ka hap gojën”, ka thënë Molliqaj në RTV Dukagjini.
Ai ka thënë se është dëshirë e tij që debati me Vetëvendosjen të mbyllet.
“Ditën që Glauk Konjufca deklaron që nuk kam qenë SHIK, flasim, sepse njëjtë pati deklaruar edhe Albin Kurti por i doli e kundërta”, ka shtuar tutje ai.
Molliqaj ka thënë se 10 ditë para se të dilte nga Vetëvendosje e ka kuptuar se Glauk Konjufca ka qenë pjesë e SHIK-ut dhe Kadri Veselin e ka pasur shef.
Ai më pas ka thënë se Konjufca në hollin e Kuvendit ia ka pranuar deputetit të PSD-së, Sali Salihu se ka qenë në SHIK.