I kërkuari nga Gjykata Speciale, Remzi Shala apo ndryshe i njohur me nofkën “Molla e Kuqe” ende nuk i është ndryshuar masa e arrestit.
Avokati i tij, Natal Bullakaj ka konfirmuar se lidhur me këtë aktvendim mbi caktimin e paraburgimit janë duke pritur vendimin nga Gjykata e Apelit në Prishtinë, rreth vendosjes meritore apo jo të ankesës.
“Kemi bërë ankesë kundër Aktvendimit mbi Caktimin e paraburgimit, jemi në pritje të vendimit nga Gjykata e Apelit në Prishtinë, rreth vendosjes meritore apo jo të ankesës. I mbrojturi im është tani në paraburgim në Qendrën e Paraburgimit në Prizren , në kohëzgjatje prej 30 ditëve. Tani jemi në pritje të Gjykimeve të radhës që do të zhvillohen pranë Gjykatës Themelore të Prizrenit -Departamenti për Krime të Renda”, është shprehur ai, raporton indeksonline.
Ndryshe, Shala ishte arrestuar para disa ditësh në shtëpinë e tij.
Kujtojmë se ftesa nga Specialja i kishte ardhur në dhjetor, mirëpo, Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte refuzuar t’i përgjigjet.
Ai ishte larguar nga shtëpia e tij në fshatin Shirokë të Suharekës drejt një lokacion të panjohur.
Shala kishte refuzuar t’i përgjigjet Speciales duke thënë se nuk e njeh këtë gjykatë.