Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Europian, Federica Mogherini foli për një objektiv që i ka vendosur vetes për 3-4 muajt në vijim.
“Objektivi im është që të kemi një rekomandim të pakushtëzuar nga Komisioni Europian për Shqipërinë dhe së dyti për të bërë që KE të vendosë në qershor të çelë negociatat dhe më pas të fillojmë”, deklaroi kryediplomatja e BE-së në takimin “Miqtë e Shqipërisë” në PE.
Anëtarësimin e Shqipërisë dhe të gjithë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Mogherini e sheh si çështje interesash të përbashkëta, ndërsa thotë se Brukseli është i vetmi që mund të “zbojë” lojtarët e tjerë nga rajoni.“Integrimi është çështje interesash edhe për vetë BE. Në këto kohë flasim shumë për konkurencë gjeopolitike dhe gjeostrategjike në Ballkan, por unë them që nëse BE është aty në mënyrë të qëndrueshme, atëherë nuk ka hapësirë për lojtarë të tjerë në rajon.
Është i vetmi vend në botë ku BE mund të bëjë dallimin e mirëfilltë. A duam ta ushtrojmë këtë pushtet apo jo?”, pyeti ajo.
Sa i takon luftës kundër krimit të organizuar, Mogherini thotë se ajo është një proces i vazhdueshëm, raporton TCH.“Lufta ndaj krimit është një proces i vazhdueshëm dhe qasja e duhur nis me atë që ne duhet të pranojmë që ky krim ekziston”, u shpreh ajo.