Luciano Moggi zbulon “rrengun” që përdori për të bërë të mundur kalimin e Pavel Nedved nga Lazio te Juventusi në verën e vitit 2001: “Pavel nuk donte të vinte te Juventusi. Nuk ishte çështje parash, por zgjedhje jete. E telefonova disa herë, por ai nuk donte t’ia dinte: Drejtor, faleminderit, por jam mirë te Lazio dhe po jetoj shkëlqyeshëm në Romë. Banoj pranë fushave të golfit, diçka fantastike. Këtu, unë dhe familja ime kemi gjithçka, pse duhet të largohemi?
Është një nga të paktat ‘jo’ që kam marrë në jetën time, që nuk më kanë bërë të tërbohem, por fjala ‘dorëzim’ nuk ekziston në fjalorin tim. Duhet të luftosh gjithmonë, edhe kur fitorja duket e pamundur. U desh një lëvizje gjeniale për të marrë ‘po’-në e lojtarit.
E telefonova sërish, ndërsa ishte në Pragë për pushime: Pavel, më bëj një nder, hajde e hidhi një sy Torinos. Nuk të them të vish patjetër te Juventusi, por të paktën shikoje qytetin. Pastaj, nëse vendos të thuash ‘jo’, mbetemi miq si më parë. Do të dërgoj një avion privat nga Italia, që të mos të shohë askush…

Pavel pranoi dhe ra në grackë. Mbylla telefonin dhe lajmërova gazetat dhe televizionet: Po vjen Nedved… Të nesërmen, Pavel aterroi në Torino dhe, kur zbriti shkallët e avionit, u gjet përballë një turme gazetarësh. Sigurisht, bëra sikur u habita dhe u nervozova, por brenda meje po gëzoja si i çmendur dhe shijoja që tani shijen e fitores.
Nedved e mori veten kur e çuam të vizitonte ‘Circolo Golf Torino’, një nga më të bukurit dhe më magjepsësit në Pianura Padana, dy hapa larg mrekullisë së Reggia di Venaria Reale. Sytë e Nedved shkëlqyen teksa shijonte atë parajsë. Lojtari mbeti i mahnitur nga gjithë ajo bukuri. Juventusi ishte më afër. Pjesën tjetër e bënë tifozët e Lazios pas asaj mbërritjeje të papritur në Torino.
Ata e shndërruan Nedvedin nga idhull në tradhtar. Për të ishin ditë protestash në Romë. Momente të vështira, që kulmuan më 4 korrik, me dorëzimin e tij: OK, firmos për Juventusin. Ishte fitorja jonë, por edhe e tij. Me bardhezinjtë fitoi pothuajse gjithçka, me qershinë mbi tortë ‘Topin e Artë’ në vitin 2003″.
The post Moggi zbulon “rrengun e pabesë” që përdori për kalimin e Nedved nga Lazio te Juventusi appeared first on Telesport.











